Ballkanasit pa roaming, nga 1 janari 2015

Nga 1 janari i vitit 2015 pritet të hiqen çmimet e shërbimit roaming për bisedat telefonike mes qytetarëve të Maqedonisë, Shqipërisë, Turqisë, Bullgarisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.

Lajme

22/08/2014 00:02

Paralajmërimi u bë të enjten nga kryetari i Agjencisë për Komunikime Elektronike në Maqedoni, Robert Ordanovski, i cili realizoi një takim në Shkup me kolegët e shteteve të përfshira në këtë nismë. Ai tha se për zbatimin e kësaj nisme nuk ekziston asnjë pengesë ligjore.

“Derisa presim para Komisionit Evropian për përshtatje të çmimeve tona me ato evropiane, të cilat janë katër deri pesë herë më të ulëta, ne rregullatorët ballkanikë vendosëm të dakordohemi në mënyrë bilaterale dhe multilaterale që të hiqet roamingu për shfrytëzuesit tanë. Në këtë mënyrë do t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të cilët udhëtojnë nëpër Ballkan komunikim dhe biseda më të lira me telefona celularë”, tha Ordanovski.

Për heqjen e roamingut pritet së shpejti të firmoset një marrëveshje, e cila më pas duhet të miratohet edhe nga parlamentet e shtatë shteteve që do të përfshihen në zbatimin e kësaj nisme. Heqja e roamingut do të vlejë për të gjitha shërbimet, siç janë bisedat telefonike, sms-të dhe përdorimi i internetit, transmeton TCH.