Azemi për Kumanovën: Vetëm terroristët vrasin pengje

Botuesi i gazetës “Fakti” në Maqedoni, Emin Azemi shkruan disa fjalë për ngjarjen në Kumanovë dhe dyshimet mbi vrasjen e të dorëzuarve në këtë konflikt.

Lajme

23/05/2015 21:30

Për Azemin është e papranueshme nëse del e vërtetë ajo që po dyshohet se forcat e sigurisë maqedonase i kanë ekzekutuar disa nga të dorëzuarit në Kumanovë duke e cilësuar si shëmti dhe duke e kualifikuar si terrorizëm.

Në një shkrim autorial që ka publikuar Azemi, thotë se urdhri për këto vrasje e ka te hakmarrja dhe urrejtja, mirëpo asnjëherë nuk kanë fituar ata që kanë urrejtur së tepërmi.

“Mirsadi dhe Begu, ndonëse u vranë pasi u dorëzuan, ata dëshmuan se paskan patur dhjetëfish epërsi ushtarake kundrejt ”tigrave” të trembur nga hija e burrave duarlidhur. S’paska më keq se në front të dërgosh gjoja njësi speciale që i mbushin pantallonat ende pa përfundu beteja”, shkruan Azemi.

aa

Lexojeni të plotë shkrimin e botuesit të gazetës “Fakti” Emin AZEMI 

Nëse del e vërtetë ajo që po dyshohet se forcat e sigurisë maqedonase i kanë ekzekutuar disa nga të dorëzuarit në Kumanovë, atëherë s’do mend se këtë shëmti do të duhej ta kualifikojmë si terrorizëm, sipas të gjitha normave e konventave, sepse vetëm terroristët vrajnë pengje dhe njerëz të dorëzuar, e të lidhur me duar prapa. Një shtet që nuk arriti ende ta kompletoj dinjitetin e vet karshi botës, që u bë aq qesharak me historinë e emrit të tij, ja që paska arrit të ruaj njëfarë trimërie trumcaku ndaj të dorëzuarve. Këta trumcak të glacuar, që më 9 dhe 10 maj të këtij viti u munduan të nxjerrin njëfarë gjoksi të zaift para pengjeve të tyre, në fakt treguan se sa të mjerë janë në përpjekjet e tyre për ta mbuluar arrogancën me frigë. 

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka dyshime se disa prej viktimave të Kumanovës janë vrarë pasi janë dorëzuar. 

KMDLNJ bazohet në dëshminë e dëshmitarëve që kanë marrë pjesë në luftime dhe që kanë treguar se disa nga të vrarët kanë qenë gjallë në momentin e dorëzimit dhe janë shpallur të vrarë më pas. 

Dyshimet i shtojnë edhe fotot e publikuara në media në të cilat mendohet se janë Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj në momentin e arrestimi nga policia maqedonase. 

E kemi ditur që nga viti 2001 se sa trima janë njerëzit me uniformë të shtetit maqedonas, por se paskemi diturt që janë aq qyqar e zuzar, sa të ekzekutojnë ata që nuk arritën të munden në një fushëbetejë burrash. Prandaj këta që vrajnë burra duarlidhur, nuk meritojnë të quhen njësi speciale, as të mbajnë nofkën e ndonjë kafshe të rrezikshme, siç është tigri, bie fjala. Ata lirisht le të heqin dorë nga barra e të qenit njësi elite sepse nuk shkojnë bashkë edhe etika profesionale edhe qyqanllëku. Në asnjë doktrinë ushtarke nuk shkruan se të dorëzuarit duhet të ekzekutohen, prandaj këta qyqana u bënë shkelës të një etike që s’e kishin zotëruar ende mirë. 

Urdhëri për të vra të dorëzuarit në Kumanovë, burimin e ka te hakmarrja dhe urrejtja, mirëpo asnjëherë nuk kanë fituar ata që kanë urrejte të tepruar. Mirsadi dhe Begu, ndonëse u vranë pasi u dorëzuan, ata dëshmuan se paskan patur dhjetëfish epërsi ushtarake kundrejt ”tigrave” të trembur nga hija e burrave duarlidhur. S’paska më keq se në front të dërgosh gjoja njësi speciale që i mbushin pantallonat ende pa përfundu beteja. Në Kumanovë njësitë e ashtuquajtura elite u bënë helaqë përballë një grupi të vogël djemsh shqiptarë. Vetëm ata që gabimisht e projektojnë armikun mund të përfundojnë në xhuxh të mjerë që nisen trima e përfundojnë vrasës ordiner të pengjeve duarlidhur.