Artistët shqiptarë shpalosin punën e tyre në Gjermani

Artistë shqiptarë do të prezantojnë punën dhe talentin e tyre në Köln të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

ShowBiz

10/02/2017 15:35

“URACult Classics” quhet projekti i radhës i URACult, projekt ky i cili është cilësuar si i veçantë nga ana e tyre, pasi që do të ketë një program të pasur kulturorë i cili do të shpaloset në sallën e shtëpisë “Altes Pfanfhaus” në Köln.

“Rrugëtimi i hyjneshave” është ekspozita e skulptores Arjeta Mftari e cila hapet në orën 18:00. E inspiruar nga “Hyjnesha në fron” e cila u gjet në gërmadhat e Ulpianës dhe e cila supozohet të jetë diku rreth 5000 vjet e vjetër, skulptorja Miftari ka krijuar hyjneshat e saja karakteristike disa prej të cilave edhe do ti prezantoj para publikut në Köln.

Mbrëmja vazhdon me muzikë me programin “Sinneswandlungen”(Shëndërrimet e shpirtit) që fillon në orën 19:30. E njohur si protagoniste e shumë operave të njohura, këngëtarja shqiptare Flaka Goranci do të lë për një mbrëmje operën e Vjenës dhe do të këndoj para publikut në Köln arie nga opera të ndryshme. Dirigjenti dhe pianisti i njohur Desar Sulejmani do të përcjell në piano Flaka Gorancin si dhe do të luaj vepra të Liszt dhe Thalber.

Në pjesën e dytë të mbrëmjes Flaka Goranci do të interpretoj këngë nga albumi i saj “Albanian Flowers”, këngë këto që janë udhërrëfyes muzikor nëpër Shqipëri dhe Kosovë. Mysafir special i mbrëmjes është Gramoz Goranci i cili me tingujt e harmonikës do të pasuroj edhe më shumë këtë mbrëmje të veçantë. Për gjithë këtë program është rezervuar data 25 mars.