Artistët shqiptarë që sollën filma të shkurtër në klipet e tyre!

“Te na ni sen dallohet muzika kqyret nuk ngohet”, janë disa nga vargjet më të mira të reperit, Mc Kresha te kënga “Lej Flleshat”.

ShowBiz

20/10/2018 14:39

E me këtë thënie mund të gjejnë vetën pothuajse shumica e estradës klipet e të cilëve janë çdo herë në qendër të vëmendjes, shkruan lajmi.net

Përpos muzikës dhe të ashtuquajturave ‘tekste’, ato që shikohen më së shumti janë videoprojektet apo mënyra se si i kanë realizuar ato.

Kjo vlen posaqërisht te gjinia e butë, ku lirshëm mund të thuhet se zbulojnë më shumë se ç’duhet në projektet që sjellin.

E ajo që është bërë karakteristikë e këngëve gjatë viteve të fundit është ‘filmi i shkurtër’ që po transmetohet në fillim të projektit.

Pothuajse në çdo këngë të re në varësi prej ngjarjeve lansohet një mini film që e përshkruan më së miri të vërtetën rreth asaj historie.

Megjithatë, këto po pëlqehen nga një masë e madhe e publikut pasi shfaqin një realitet tejet interesant që mund ta kuptoni qysh nga aty.

Adrian Gaxha dhe Floriani, Tuna dhe Seveni, Bleona Qereti, Vedat Ademi, Neki Emra, Enca, CIljeta dhe Noizy, Onati dhe Adriani, Elita 5 dhe Marigona, janë vetëm një pjesë e këngëtarëve shqiptarë që kanë realizuar klipe të tilla.

Adrian Gaxha&Floriani- Kjo zemër

YouTube player

Para 5 viteve, Adrian Gaxha dhe Floriani lansuan projektin e dytë të përbashkët të titulluar “Kjo zemër”, pas hitit “Ngjyra e kuqe”.

Ky projekt i dyshes po ashtu ishte tejet ritmik e që si protagoniste të klipit kishte një vajzë të cilën e ndiqnin këngëtarët. Nëse shikoni me vëmendje klipin e kësaj kënge mund të vëreni një lloj filmi të shkurtër që përshkruan dashurinë në mes të një çifti. Që nga fillimi e deri në fund ngjarja ka të bëjë me vajzën dhe mënyrën se si e trajtojnë ata dhe sakrificat që bën një mashkull.

Gjithashtu, protagoniste e klipit është edhe aktorja, Igballe Qena e cila ka një rol mjaft të rëndësishëm. Kjo këngë tani që janë bërë 5 vite pas publikimit numëron mbi 14 milionë klikime në kanalin, Youtube.

Seven Saraqi&Tuna- Maria

YouTube player

“Maria” është një nga këngët e fundit që është lansuar në tregun muzikor nga artistët Seven Saraqi dhe këngëtarja nga Maqedonia, Tuna.

Si çdo herë tjetër, Tuna vjen mjaft e nxehtë në këtë klip e cila shfaqet në skena provokative bashkë me modelen, Vildane Zeneli.

Në fillim të këngës, Saraqi shfaqet në një ashensor teksa më pas publikohen disa pamje të modeles, Zeneli. Me këtë ngjarje dhe disa momente të veçanta të klipit mund të thuhet se edhe projekti i tyre ngjason me mini filmat e shkurtër që tregojnë shumë.

Pasi është në ditët e para të lansimit pritet që kënga të ketë suksesin e dëshiruar edhe pse janë komentuar mjaft shumë skenat e klipit.

Bleona Qereti-Monster

YouTube player

Kur jemi te këngëtarja, Bleona Qereti nuk ka si të mos komentohet për videoklipin apo paraqitjet e saj.

E në këngën e re “Monster” të publikuar më 12 tetor, Qereti vjen siç nuk e keni parë asnjëherë teksa fillimin e këngës e nis me një rrëfim për dashurinë. Bleona paraqet një pasqyrë reale të ngjarjes që mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme. Këngëtarja po ecën mjaft mirë me prurjet e reja, ku tash e disa vite karrierën muzikore është duke e zhvilluar në SHBA.

Vedat Ademi- Një jetë me ty

YouTube player

Njihet si njëri nga artistët me vokalin më të fuqishëm dhe me projekte tejet interesante. Është ky Vedat Ademi i cili përmes projekteve të tij gjithnjë jep mesazhe të forta për jetën.

Pothuajse të gjitha këngët e tij janë të realizuara me klipe dhe ngjarje mjaft unike, e ajo që e dallon nga artistët e tjerë është edhe realizimi i klipeve në një mënyrë tjetër.

“Një jetë me ty”, është një nga këngët e Vedatit që mbetet ‘e pavdekshme’ për të gjithë në formën se si e trajton dashurinë dhe vështirësitë me të cilat mund të përballet çdo çift.

Video është publikuar në kanalin Youtube në vitin 2015, që ka marrë mbi gjysmë million klikime në kanalin zyrtar, Youtube.

Neki Emra- Papritmas

YouTube player

Këngëtari nga Prizreni, Neki Emra së fundmi solli baladën muzikore “Papritmas” që u mirëprit nga publiku.

Edhe kjo këngë e Nekit personifikon një ngjarje reale të çifteve, ngjarje këto të shpeshta në jetën e gjithësecilit. Me aktorët e njohur që janë protagonistë të klipit si Arjola Demiri, Mevlyd Osmani dhe Suzana Ajeti-Hajdari projekti ka dalë edhe më melankolik.

Një këngë e tillë jep një mesazh të qartë për të gjithë ata njerëz që kanë përgjegjësi në jetë. Me të shikuar klipin mund të mësoni shumë gjëra të reja.

Ndryshe, Emra shquhet për baladat që sjell, me të cilat ka fituar edhe zemrat e publikut shqiptar.

Enca Haxhia- Dua

YouTube player

Para pak muajsh këngëtarja nga Shqipëria, Enca Haxhia solli këngën e re “Dua”. Projekti është ritmik i zhanrit R&B, dhe flet për një dashuri të dyfishtë. Klipi i këngës është mjaft ‘i nxehtë’ dhe përmban skena erotike, për të cilat u përfol vazhdimisht.

Pjesë e klipit është edhe modeli, Pierluigi Fracassi, i cili shfaqet duke shkëmbyer puthje në disa skena me këngëtaren. E kënga fillon me një rrëfim të Encës përpara Kishës gjersa flet për dashurinë dhe tradhëtinë në mes të një çifti.

Nëse shikohet më vëmendje skenat në klip e sjellin një ngjarje dhe një mini film të shkurtër se çfarë mund të ndodhë aktualisht nëse ndërhyn në jetën e një çifti.

Sidoqoftë, ky projekt i këngëtarës 23 vjeçare numëron miliona klikime.

YouTube player

Një film i vërtetë është kënga e Noizyt dhe Ciljetës “Gangsta Love” e lansuar 3 vite më parë. Pjesë e këtij klipi është edhe djali i këngëtares, Fernando dhe vajza e Inis Gjonit.

Në rolin e prindërve teksa artistët flirtojnë me njëri-tjetrin në shtëpinë e tyre hynë Policia dhe i arrestojnë ata. Siç titullohet edhe projekti duket se në të flet për një ‘Gangsta Love’.

“Baby ur my gangsta, bashkë përgjithmonë”, janë disa nga vargjet e kënduara nga artistja Xhilaga, e cila këtu shfaqet edhe si aktore tejet e mirë.

Adrian Gaxha&Onat- Lujmi Krejt

YouTube player

Adrian Gaxha dhe Onati në prill të këtij viti erdhën me këngën e re “Lujmi lujmi”. Pjesë e këtij projekti është edhe një karakter satirik, i cili sjell plot skena interesante me të qeshura, duke e shndërruar në një klip komik. Teksti e ka drejtimin e dashurisë, një djalë në një lokal e pëlqen një vajzë dhe fillon ta komplimentojë në stilin e tij.

Mini-filmi i shkurtër i realizuar në këtë projekt ka bërë që të pëlqehet kënga edhe më shumë.

Elita 5- Më Fal

YouTube player

Grupi legjendar, Elita 5 njihet për projektet karakteristike dhe mjaft domethënëse. Para 4 viteve, artistët publikuan këngën apo më mirë të themi filmin “Më fal”.

Vetë, vokalisti i grupit Elita 5, Arif Ziberi, ka deklaruar në një intervistë për mediat shqiptare se “Më Fal” është një projekt filmik dhe jo videoklip i zakonshëm.

Kënga është një baladë e punuar me shumë përkushtim e që edhe klipi tregon një ngjarje shumë prekëse. Jo vetëm kjo këngë, Elita 5 ngjallë emocione të mëdha me çdo projekt të lansuar për publikun.

Marigona- Sonte

YouTube player

Listën e këngëtarëve me mini-film në videoklipet e tyre e përmbyllë grupi i njohur Marigona, të cilët ndër vite kanë sjellë këngë që nuk harrohen lehtë. Nga “Sonte” e deri te “Ajshe” është e vështirë të zgjedhësh në mes tyre.

“Sonte”,  është një prej këngëve që e karakterizon Grupin Marigona. Gjeneratave më të vjetra, dhe atyre të viteve 90-të, u kujtohet mirë videoklipi në Muzeun e Kosovës, skena tek Qendra Tregtare në Bregun e Diellit dhe ajo e aterimit të aeroplanit.

Me këtë dëshmon se dikur Grupi Marigona bënte mini-film me videoklipet e tyre.

Megjithëse ka edhe shumë artistë të tjerë që në klipet e tyre sjellin gjëra të veçanta që e bëjnë të dallohen nga të tjerët, këta që ua cekëm më lartë në këto projekte kanë treguar një rrëfim real që mund ta përjetojmë secili nga ne.

Në bazë të kësaj duket se fokusim të madh ka tema ‘e dashurisë’ ku secili këngëtar e ka trajtuar në mënyrë unike, përfshirë edhe ‘dëmet’ që ka pas saj.

Edhe para shumë viteve sikurse sot, yjet e njohura vazhdojnë të befasojnë me tekste dhe klipe që kushtojnë shumë por që lënë gjurmë te publiku. /Lajmi.net/

E.SH