Arrihet marrëveshja për paqe në Ukrainë (Video)

Pas bisedimeve maratonike në Minsk të Bjellorusisë, raportohet se është arritur një marrëveshje që synon dhënien fund të luftimeve në Ukrainë lindore është rënë dakord.

Bota

12/02/2015 12:48

Angela Merkel, Vladimir Putin dhe Francois Hollande

Pjesëmarrësit në bisedime, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, presidenti rus, Vladimir Putin, ai francez, Francois Hollande dhe kancelaria gjermane, Anglea Merkel, kanë konfirmuar arritjet e marrëveshjes, sipas së cilës, armëpushimi do të fillojë më 15 shkurt.

Marrëveshja, të cilën e kanë nënshkruar edhe rebelët prorusë, përfshinë edhe disa pika të tjera, si tërheqja e armëve të rënda nga zonat e konfliktit brenda dy javësh; lirimi i ndërsjellë i të burgosurve; amnisti për ata që janë përfshirë në luftime; tërheqja e të gjitha forcave të huaja të armatosura, e armëve dhe mercenarëve nga territori ukrainas; dhe çarmatimi i të gjitha grupeve ilegale.

Po ashtu sipas kësaj marrëveshje, Ukraina duhet të krijojë kushte për rifillimin e jetës normale në zonat rebele, me heqjen e kufizimeve; dhe të kryej reforma kushtetuese për të mundësuar decentralizimin për rajonet rebele deri në fund të vitit 2015.

Marrëveshja e arritur pas 17 orë bisedimesh është shumë e ngjashme me marrëveshjen për armëpushim të dakorduar shtatorin e kaluar, e cila u shkelë shumë shpejtë nga të dyja palët.

Presidenti francez, Hollande tha se ai dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të kërkojë nga partnerët e tyre të Bashkimit Evropian për të mbështetur marrëveshjen në një takim më vonë të enjten.

Çështjet kyçe të pazgjidhura përfshijnë statusin e Debaltseve, një qytet i mbajtur nga forcat qeveritare, por i rrethuar nga rebelët, ku ditëve të fundit ka pasur luftime të ashpër midis të dyja palëve. .

Po ashtu, sipas presidentit rus, Vladimir Putin, pas marrëveshjes së arritur do të mbahen edhe bisedimet për vetëqeverisje në rajonet Donetsk dhe Luhansk, të cilat separatistët i kishin shpallur të pavarura dhe ku që prej muajit prill të vitit të kaluar kanë humbur jetën mbi 5000 veta.

Putin, duke u prononcuar për televizion shtetëror rus, ka thënë se nata e kualuar nuk ishte edhe aq e mirë, pasi që ka mbetur pa gjumë, porse siç tha ai, mëngjesi solli marrëveshjen dhe ishte i mirë.

Arrihet marrëveshja për paqe në Ukrainë

Ndërsa presidenti ukrainas, Poroshenko, i cili e kishte akuzuar vazhdimisht Rusinë për bërjen e kërkesave të papranueshme, tha se pavarësisht nga tensioni dhe presioni, Ukraina nuk iu nënshtruar ultimatumeve.

Konflikti në Ukrainën lindore u nxit pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, një krahinë tjetër e Ukrainës, akt ky që çoi në tensionimin e marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Rusisë, si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj kësaj të fundit.

YouTube player