Arrestohet një çift turko-holandez, dyshohet për sulm terrorist ndaj BE-së

Policia belge ka arrestuar një çift për të cilin dyshohet se ka planifikuar sulm ndaj ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel.

Bota

22/09/2014 19:43

Për këtë raportojnë mediet lokale belge, ndonëse akoma nuk ka konfirmim zyrtar nga ana e policisë. Sipas medieve vendore, policia kishte ne dispozicion mjaft prova të lidhura me planet për sulm ndaj ndërtesës kryesore të BE-së, raporton korrespondentja e RTK-së nga Brukseli.

Çifti thuhet të jetë me shtetësi holandeze, por me prejardhje turke. Gjithnjë, sipas të njëjtave burime, të dytë – burri dhe gruaja deri në muajin gusht kanë qëndruar në Siri. Thuhet gjithashtu se i dyshuari i tretë është në arrati dhe dyshohet se është kthyer sërish në Siri.

Gazetat lokale raportojnë se gjatë bastisjes në një banesë në Bruksel, ku është arrestuar çifti në fjalë, janë gjetur eksplozivët që, sipas aludimit, ishin të gatshme për përdorim gjatë sulmit të planifikuar në ndërtesën e Komisionit Evropian.

Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë mohuar sot të kenë marrë ndonjë paralajmërim për sulm të mundshëm në ndërtesë, por pranojnë se janë në kontakt me autoritete belge në lidhje me çështjet e sigurisë.

Gjatë ditës masat e sigurisë janë shtuar përreth ndërtesës së Komisionit Evropian. Për sigurinë e ndërtesave të BE-së janë përgjegjëse autoritete belge, të cilat akoma hezitojnë të konfirmojnë lajmin mbi arrestimin e personave të dyshuar për terrorizëm.

Autoritetet holandeze, nga ana tjetër, tashmë kanë konfirmuar se dy shtetas të tyre janë ndaluar në Belgjikë. (RTK)