Apostolova: Do t’i ndajmë 35 milionë euro për arsimin në Kosovë

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, gjersa ka folur gjatë prezantimit të raportit të rishikimit funksional mes MASHT-it dhe BE-së, ka bërë të ditur se BE do t’i ndajë 35 milionë euro në të ardhmen për sistemin e arsimit në Kosovë

Lajme

02/05/2018 15:04

“Arsimi është prioritet edhe në aspektin e financimit nga ne. 35 milionë euro planifikojmë t’i ndajmë në të ardhmen. Së pari do të ndahen 16 milionë”, ka deklaruar Apostolova. Ajo me këtë rast, ka thënë se BE kërkon që këto fonde të shfrytëzohen në mënyrë të duhur.

Teksa ka folur për raportin, Apostolova ka thënë se nga rekomandimet e tij kërkohet një arsim më cilësor në Kosovë.

“Projekti i përcakton disa rekomandime, të ketë një sistem cilësor në Kosovë. Rishikimi i identifikon boshëllëqet aktuale. Ne jemi pajtuar me MASHT-in që të implementohen këto rekomandime”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, ka thënë se investimi në arsim do të thotë direkt investim në rininë e Kosovës.

“Besojmë që këto ndryshime do të sjellin një organizim më të mirë të ministrisë. Kjo do ta vejë ministrinë në një shteg te mirë që t’i implementojë reformat. Investimi në arsim do të thotë investim në rini. Ky është investimi që garanton kthim”, ka nënvizuar ajo./Zeri