Anëtari serb i Presidencës së Bosnjës: As njohje e Kosovës, as referendum i Republikës Serbe

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Mladen Ivaniq ka thënë sot se derisa ai të jetë anëtar i Presidencës së BeH, Bosnja dhe Hercegovina nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Lajme

15/11/2017 11:23

Ai ka shtuar po ashtu se nuk do ta mbështeste një referendum eventual për “pavarësimin” e Republikës Serbe nga Bosnja.

“Qëndrimi im politik është se mënyra në të cilën Kosova është pavarësuar është plotësisht jashtë normave ligjore ndërkombëtare dhe si dikush që e ka atë mundësi, unë këtë mundësi edhe do ta shfrytëzojë”, ka thënë Ivaniq, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë tutje se derisa të jetë anëtar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ky shtet nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

“Derisa unë të jem këtu, sigurisht se nuk do të ndodh njohja”.

“Nëse lajmërohet ndonjë politikan serb i cili vlerëson se ashtu duhet të jetë, e respektoj plotësisht. Mendoj se jeta e njerëzve nga Kosova dhe nga Bosnja mund të përmirësohet”, ka theksuar Ivaniq.

Ditëve të fundit është ngritur shumë pluhur rreth idesë që Bosnja ta njeh së shpejt Kosovën. Kjo erdhi pasi që anëtar boshnjak në Presidencën e Bosnjës, Bakir Izetbegoviq tha për DW se ky shtet do ta njoh së shpejti Kosovën.

Megjithatë, një ditë më vonë, pas reagimeve dhe kërcënimeve që erdhën nga Beogradi në adresë të Sarajevës, kabineti i Izetbegoviqit njoftoi për “tërheqje” nga njohja, me arsyetimin se mediat në Serbi, veçanërisht Tanjug-u, qëllimisht e kanë nxjerrë nga konteksti një deklaratë të tillë. /Lajmi.net/