Analistët: PAN synon zgjedhjet, zgjidhja qeveria kalimtare

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten në tentativën e pestë të saj për të formuar qeverinë e re.

Lajme

23/08/2017 17:29

Duket se bllokadës së krijuar për zgjedhjen e kryeparlamentarit më pas edhe formimit të qeverisë nuk po i vie fundi.

Kjo krizë politike po shkon duke u thelluar e madje mund të rezultojë edhe me zgjedhje te jashtëzakonshme.

Se seanca e nesërme nuk ka për të sjellë ndonjë zgjidhje të situatës problematike aktuale, e thonë edhe analistët politikë.

Për politikologun Belul Beqaj, pritjeve dëshpëruese të qytetarëve për formimin e qeverisë nuk do t’ju vie fundi, dhe sipas tij edhe po të formohet qeveria Haradinaj do të jetë afatshkurtër dhe, siç e quajti ai, avanturiste.

“Së pari, një qeveri, fati i së cilës varet nga interesi i dy–tre deputetëve, përkatësisht Listës Serbe, që publikisht deklaron se për çdo vendimin të sajin aminin e merr nga Beogradi, është qeveri afatshkurtër, avanturiste me kryeministrin avanturier! Së dyti, nëse shkohet në zgjedhje të reja gjasat për të ndërruar lidershipin politik që për 17 vjet po e rrezikon shtetin, që është krijuar me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, do të shtohen. Do të harxhohen edhe 5-6 milionë euro për zgjedhje të reja, por Kosova vetëm me një tender mund t’i humb më shumë, nëse qeveria krijohet me ata lider politik që Kosovën e shndërruan në kampion të korrupsionit regjional” ka thënë Beqaj për klankosova.tv

Se gjasat janë të mëdha që vendi të shkojë sërish në zgjedhje e thotë edhe analisti Imer Mushkolaj, e që sipas sipas tij shtysë kryesore për zgjedhje të jashtëzakonshme do të jetë koalicioni PAN.

“Duket se PAN synon që vendi të shkojë serish në zgjedhje, por zgjedhjet e reja ka mundësi të prodhojnë sërish krizë, krejt shkaku i vendimit politik të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, që po del të jete problematik” ka deklaruar.

Nga ana e tij, Beqaj thekson se “zgjidhje për të dalë nga kjo situatë dhe për mosthellimin e krizës është reflektimi i lidershipit që rezulton me formimin e një qeverie kalimtare, e cila do të përfundonte disa detyra siç janë reformat zgjedhore, demarkacioni etj, përderisa partitë politike do të kryejnë reforma të brendshme”.

Sipas tij më pas do të krijohen kushtet për organizimin e zgjedhjeve të reja, ndërsa në anën tjetër funksionalizimi i Gjykatës Speciale do të pamundësonte pjesëmarrjen në strukturën e re të dyshuarve për krime lufte e ekonomike.

“Zgjidhja më racionale politike do të ishte, sikur lidershipi politik i deritanishëm do të reflektoj si duhet duke kuptuar rrezikun nga pasojat e kësaj gjendje edhe për qytetarët, meqë për ta kujtohen vetëm gjatë zgjedhjeve. Në këtë kuptim, formon qeveri kalimtare, 6-12 mujore, me detyra të autorizuara, siç janë reformat kushtetuese, zgjedhore, demarkacionin, transformimin e FSK…. Ndërkohë, obligohen partitë për reforma dhe zgjedhje të reja të brendshme . Pas përfundimit të këtyre prioriteteve, organizohen zgjedhjet e reja të cilat realisht mund të krijojnë një strukturë të shëndoshë parlamentare ngase, pamundësohen nga GJNS, të gjithë të dyshuarit për krime të luftës dhe ekonomike .Në këtë mënyrë do të krijohen kushtet për një lidership të shëndoshë politik i cili do të gëzonte mbështetjen e plotë të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve” ka thënë Beqaj.

Ndërsa Mushkolaj nuk e sheh si zgjidhje formimin e një qeverie teknike përderisa ka thënë që në rast të dështimit të formimit të qeverisë duhet kërkuar mendim juridik nga Gjykata Kushtetuese.

“Seanca e nesërme do të dështojë, faji i PAN-it. Ky koalicion nuk po ia del t’i siguroj votat e mjaftueshme, andaj edhe po e bllokon situatën. Duhet kërkuar një mendim juridik nga Gjykata Kushtetuese se si të veprohet tutje. Nuk besoj që qeveria teknike mund të zgjidhë problemin” ka thënë Mushkolaj.