Aleksandar Vulin do të arrestohet sapo të hyjë në Kosovë

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka lëshuar urdhërarrest për ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale të Serbisë, Aleksandar Vulin, pasi ky i fundit anipse e ka pasur të ndaluar të kaloj kufirin e ka bërë një gjë të tillë.

Lajme

27/12/2016 17:07

Mirëpo, ai është shprehur se nuk ka kryer asnjë vepër penale të kalimit të kufirit pasi sipas tij, nuk ka kufij.

“I kam të dhënat se autoritetet e Prishtinës më kanë dënuar me pretendimet se kam kaluar kufirin paligjshëm. Unë nuk e pranoj një akuzë të tillë”, ka thënë Vulin, transmeton lajmi.net.

Ai ka theksuar se gjatë punës së tij në Kosovë, institucionet vazhdimisht janë përpjekur ta arrestojnë, mirëpo Prishtina kurrë nuk ka qenë në gjendje t’ia ndërpresë marrëdhëniet e tij me serbët që jetojnë në Kosovë.

“Ata nuk do të kenë sukses në përpjekjet për të më arrestuar. Kjo është vetëm një vazhdimësi e tyre politike që përpiqen të na dëshmojnë se institucionet në Prishtinë ekzistojnë. Sado që përpiqen nuk do të më ndajnë nga vendi im dhe kjo është Kosova dhe Metohija”, ka thënë Vulin.

Në vendimin e lëshuar nga gjykata thuhet se më 15 shkurt 2013, Aleksandër Vulin ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës edhe pse Ministria e Punëve të Brendshme e kishte refuzuar kërkesën e tij. /Lajmi.net/