Albin Kurti: Me Fehmi Lladrovcin festova 28 Nëntorin e 1997-ës në Gjermani

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin të cilët 20 vjet më parë u vranë në luftën çlirimtare të Kosovës.

Lajme

22/09/2018 18:45

Ai i quajti yje të historisë së luftës për çlirimin e vendit dhe i konsideroi si njerëz që kishin ideale të dëlira, dije dhe atdhetari.

Madje Kurti tregoi që e kishte festuar 20 Nëntorin me Fehmi Lladrovcin në Gjermani 21 vjet më parë.

“Sot e 20 vite më parë dhanë jetën për lirinë e Kosovës Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi – Lladrovci si dhe luftëtarja e re, që ata e kishin si bijën e tyre, studentja Fatime Hetemi”, shkruan Kurti në Facebook.

“Fehmi Lladrovcin e kam njohur personalisht, me të e kam festuar 28 Nëntorin në vitin 1997 në Gjermani”.

“Fehmiu e Xheva shndrisin në historinë e luftës sonë çlirimtare si dy yje. Shndrisin nga pastërtia e dlirësia e idealit të tyre, nga guximi e trimëria, nga dija e atdhetaria”.

“Ata të dy vinin nga familje patriotësh të përndjekur nga regjimi pushtues serb. Të dy i bashkonte dëshira për liri e vullneti për punë e dije. Xheva i kreu dy fakultete, Fehmiu e vazhdoi shkollën në Kosovë e jashtë vendit dhe kreu Fakultetin e Makinerisë në Zagreb të Kroacisë. Në letërkëmbimet mes tyre, kur Fehmiu ishte në burg gjatë viteve ‘80 dallohet një formim kulturor i pazakontë, rezultat i leximeve e mendimeve të thella”.

“Fehmiu gëzonte respektin dhe besimin e palëkundur të dy Ademëve, Adem Jasharit, me të cilin e lidhi organizimi për luftë në Drenicë e kudo, dhe Adem Demaçit, me të cilin u njoh gjatë burgut, dhe me të cilin po ashtu pati një letërkëmbim që do të ishte mirë të studiohej sot, jo nga pushtetarët analfabetë por së paku nga studentët”.

“Burgjet dhe pengesat nuk e ndalën dashurinë mes tyre, por e forcuan atë. Në mërgatë të dy bashkëshortët heronj u angazhuan për forcimin e organizimit çlirimtar, dhe bashkë me studenten e re, Fatime Hetemin nga Bistrica e Leposaviqit, ata ishin ndër të parët që nisën luftën e organizuar në terren. Fehmi Lladrovci ishte organizator e luftëtar i mrekullueshëm, dhe ishte komandanti i parë i brigadës së parë të organizuar të UÇK-së”.

“Pas rënies së tyre në një betejë të ashpër, ballë për ballë me ushtrinë e tanket e pushtuesit, brigada mori emrin “Fehmi Lladrovci”, e vendi ku ata ranë, sot quhet “Kodra e Qëndresës”.

“Ne bëmë sot homazhe për ju, që na i keni mundësuar secilën ditë të lirisë që e jetojmë dhe përjetojmë. Xhevë, Fehmi e Fatime, ju jeni shembulli i çdo gruaje a burri që e do vendin e popullin e vet me ndershmëri, me sakrificë, me guxim, e pa asnjë hile, poshtërsi a përfitim. Ju jeni nderi e historia jonë”, përfundon shkrimi i Kurtit.