Akuza të rënda në adresë të agjencive botërore të vlerësimit

Tri agjencitë e mëdha të vlerësimit të riskut i bëjnë të dridhen të gjithë në botën financiare, por ekspertë të ndryshëm të ekonomisë kanë akuza të rënda për Standard & Poor’s, Moody’s dhe Fitch.

Lajme

19/08/2014 20:28

I cituar nga Deutsche Welle, Manfred Gartner, profesor i ekonomisë në Universitetin e St. Gallenit në Zvicër, thotë se “S & P” nuk është në gjendje për asnjë dialog konstruktiv, nuk kupton koncepte elementare ekonomike dhe përhap “gënjeshtra”.

Në 2012-n, së bashku me kolegun e tij Bjorn Griesbach, Gartner botoi një studim, ku pretendonte se klasifikimi i ulët i vendeve si Irlanda apo Greqia, për shkak të krizës financiare, shkonte përtej asaj që do të ishte e justifikuar nga përkeqësimi i situatës ekonomike dhe financiare të këtyre vendeve, transmeton Top Channel.

Pikërisht vlerësimi i dobët, i dhënë nga tri agjencitë në fjalë, shkaktoi një rreth vicioz: klasifikimi i gabuar solli rënien e besimit të tregut tek aftësia e shlyerjes së borxhit, kjo çoi në rritjen e normave të interesit në një masë të mjaftueshme për të justifikuar më vonë degradimin e gabuar, ose duke shkaktuar madje një degradim të mëtejshëm dhe ekzagjerimin e normave të interesit.

“Në fund të një spiraleje si kjo, mund të vijë falimentimi i një shteti”, thekson Gartner. Nëse klasifikime të tilla, që i ngjajnë qitjes së fallit nga filxhani, bëhen prej diletantëve,  atëherë situata bëhet edhe më kritike, thotë profesori gjerman.

Gartner shtoi se politika ka fjetur për një kohë tepër të gjatë dhe tani, kur ekonomitë evropiane po e marrin veten, përpjekjet për t’iu kundërvënë me diçka pushtetit të agjencive të vlerësimit kanë nisur të zbehen sërish. (Top Channel)