AKR e ka të pamundur të kalojë pragun

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, bënë një përllogaritje se si do të mund të kalonte pragun AKR-ja, me rreth 40 mijë votat e panumëruara. Ai vlerëson se në rastin më të mirë është shumë e vështirë që kjo parti të arrijë të hyjë në parlament, për të mos thënë se e ka të pamundur. 

Lajme

13/06/2014 21:40

Kryeziu analizon mundësinë e NISMA-s dhe AKR-së për mundësinë e tyre që të kalojnë pragun parlamentar të zgjedhjeve të 8 qershorit.   

Për NISMA-n, thotë se nëse të gjitha rreth 40 mijë votat e pa numëruara dalin të vlefshme, i duhet vetëm edhe rreth 400 sosh, ndërsa AKR-së rreth 4000. 

“Sa i përket NISMA-s dhe AKR-së për prag zgjedhor, së paku bazuar në të dhënat publike të KQZ-së mund të bëjmë një lloj krahasimi. Deri tani I kemi fletëvotime të vlefshme; 699,314.

Fletëvotime me kusht dhe tjera ( me postë dhe nga personat me aftësi të kufizuar dhe nga jashtë Kosovës ) gjithsejt: 40.311”.  

Situata e parë:

“Nëse të gjitha votat e panumëruara 40.311 rezultojnë të jenë të vlefshme, kjo e rrumbullakson numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme në gjithsej 739.625 . Atëherë për 739.625 vota të vlefshme, pragu prej 5 % nënkupton arritjen e 36.981 votave. Aktualisht Nisma ka 36.570 vota, përderisa AKR ka 32.543. Nga kjo përllogaritje, NISM-ës i nevojiten të sigurojë së paku dhe 411 vota nga 40.311 votat e panumëruara, ndërsa AKR-së, edhe 4.433 vota .Me këto vota këto dy subjekte politike do të hynin në Parlament. Nga trendet normale të shpërndarjes së 40.311 votave bazuar në rezultatet e përgjithshme atëherë besohet se NISMA mundë të kalojë pragun, e AKR e ka vështirë ose të pamundur me e kalu pragun”. 

Situata e dytë :

“Nëse nga 40.311 vota të panumëruara, rezultojnë vota të pavlefshme atëherë do kemi numër tjetër të nevojshëm për të kaluar pragun zgjedhor. Sipas trendeve dhe gjasave për vota të parregullta, vlerësohet se numri I votave të rregullta mund të jetë deri në 30.000. Ky numër i votave tregon se për të kaluar pragun , NISM-ës do t’i duhen edhe 88 vota, e që besohet që do t’i sigurojë dhe do të hyjë në parlament. Në anën tjetër, AKR-së i nevojiten edhe 3938 vota, gjë që i bënë gjasat më të pakta për të hyrë në Parlament”.