AKI-ja e Policia të bashkëpunojnë kundër planeve të Serbisë

Ramadan Qehaja vlerëson se planet e mirëpërgatitura të Serbisë janë në funksion të arritjes së qëllimeve që kanë të bëjnë me aneksimin e veriut të Kosovës me mjete dhe metoda të kombinuara konvencionale e jokonvencionale

Lajme

16/01/2017 09:11

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, që është ftuar dje nga presidenti Tomislav Nikolliq, i janë dhënë detyra konkrete çdo subjekti. Toni i tyre kërcënues ngërthen në vete planet e mirëpërgatitura në funksion të arritjes së qëllimeve që kanë të bëjnë me aneksimin e veriut të Kosovës me mjete dhe metoda të kombinuara konvencionale e jokonvencionale.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ish-gjeneralmajori në Armatën Jugosllave, tanimë të shpërbërë, Ramadan Qehaja, duke shtuar se tashmë pritet të ketë edhe intensifikim detyrash dhe pranisë së agjentëve të shërbimit inteligjent civil e ushtarak serb, jo vetëm në atë pjesë të territorit, por në tërë territorin e Kosovës.

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja,  i rekomandon institucioneve të Kosovës që të sigurojnë gatishmërinë vepruese të Policisë së Kosovës në funksion të dekonspirimit dhe reagimit ndaj pretendimeve të cekura më lart. “Kjo punë duhet bërë në koordinim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI)”, shprehet ai.

Po ashtu, sipas tij, është më se urgjente që Policia e Kosovës të furnizohet tutje me mjete të blinduara, armë të gjata krahu dhe pajisje tjera personale. Ndërsa, njësitet speciale, sipas tij, duhet urgjentisht të pajisen me helikopterë për bartjen e njësiteve në pika të caktuara dhe të zgjerohen numerikisht konform nevojave. “Zhvillimi i këtyre njësiteve duhet bërë si një proces e jo veprime ad-hoc, duke menduar në intensifikimin e tyre që tani”, shprehet Qehaja.