Adriani singëll, por me këngë të re

Këngëtari i njohur nga Shkupi, në një intervistë për lajmi.net, ka folur për vizitat e tij të shpeshta në Prishtinë, këngën e re me Visarin e grupit Skillz dhe ka treguar se nuk ka të dashur.

ShowBiz

25/10/2013 17:00

Lajmi.net: Të shohim shpesh në Prishtinë. Të pëlqen kaq shumë ky qytet?

Adriani: Ka shumë arsye. Tash vij shumë shpesh në Prishtinë, por këtu kam ardhë edhe para se me fillu me u marrë me muzikë, sepse kam shumë shoqëri dhe të afërm. Por, kohëve të fundit jam më shpesh. Pikë së pari qyteti më pëlqen shumë, kam krijuar një rreth këtu, por edhe puna e bën të veten.

Lajmi.net: Kënga “Ngjyra e kuqe” ka pasur sukses shumë të madh. E ke bërë pjesën e dytë të saj. A është duke u punuar edhe pjesa e tretë?

Adriani: Artisti duhet me u fokusu në projektet e veta. Gjithçka ka qenë në mënyrë spontane. Pasi e pashë sa kishte sukses kënga ‘Ngjyra e kuqe’ dhe mora komente të mira në lidhje me këtë, vendosa ta bëj edhe pjesën e dytë.

Jam munduar që video klipi që të jetë edhe më i mirë se i pari, prandaj tash kam inspirim me e ba edhe pjesën e tretë. Në fund, e kam në plan që t’i bashkoj të tri pjesët dhe ta krijoj si një lloj filmi, i cili do të zgjatë maksimum 15 minuta. Do të jetë diçka më e veçantë.

Lajmi.net: A planifikon të marrësh pjesë në ndonjë festival në muajt e ardhshëm?

Adriani: Për momentin jo. Ka filluar ‘Kënga Magjike’, por nuk kam pasur gati ndonjë këngë që me qenë pjesë e këtij festivali. Unë jam këngëtar që i dua shumë festivalet. Mendoj që një këngëtar aty e tregon vlerën më së shumti, sepse aty është skena dhe duhesh me e tregu kualitetin tënd, atë që ti e di.

Lajmi.net: Pasi je valltar i mirë, a mendon që në të ardhmen ndoshta me e hapë një shkollë të vallëzimit?

Adriani: Po. Aktualisht jam duke punuar për ta hapur produksionin tim në Shkup. Është produksion muzikor, por jam duke e bërë edhe një pjesë tjetër të studios, ku është një sallë për vallëzime, sallë ku kemi mundësi me ushtru. Projekti besoj se do të përfundojë brenda një muaji, dhe kësmet do të jeni mysafirë në hapje.

Lajmi.net: A ke të dashur?

Adriani: Jam singëll, nuk kam të dashur.

Lajmi.net: A je duke punuar në ndonjë bashkëpunim?

Adriani: Po. Mundem lirisht me e cekë këngën e re. Ndoshta edhe kjo është arsyeja pse jam shumë shpesh në Prishtinë.

Është një këngë shumë e bukur, që e kam punuar për shumë kohë, me shumë zemër. Është këngë për të cilën u inspirova një natë këtu, në Prishtinë. Kalova shumë bukur për ditëlindje dhe kur u ktheva në orën 5 të mëngjes kam hyrë në studio dhe e kam inçizuar këtë këngë.

Është një bashkëpunim me Visar Shalën e grupit Skillz, kurse Floriani e ka një pjesë të vogël.