A po keqinterpretohet Kur’ani, flet përkthyesi i parë i tij në gjuhën shqipe

Në gjuhën shqipe përkthimet e para të sureve dhe ajeteve të Kur’anit janë bërë nga poeti i madh i letrave shqipe, Naim Frashëri që janë botuar në veprën e tij “Mesime”. Por, përkthimi i parë i plotë i Kur’anit në gjuhën shqipe është ai i akademikut kosovar Feti Mehdiu, në vitin 1985

Lajme

25/06/2017 11:13

Në një intervistë për lajmi.net, profesori universitar në pension, ka folur rreth asaj se cili përkthim i librit të shenjtë të myslimanëve në gjuhën shqipe është më i pranishëm në duart e qytetarëve.

Feti Mehdiu është Akademik me korrespondencë në Kajro. Aktualisht është edhe asambleist në Kuvendin e Prishtinës nga radhët e Partisë së Drejtësisë.

Studiuesi i orientalistikës nuk dëshiron të flet shumë për përkthimet dhe interpretimin e Kur’anit që bëhet në xhamitë e Kosovës. “Për interpretime, unë kam njëfarë kandari tjetër . Nuk u jap shumë rëndësi kush se si interpreton, sepse në interpretime kam përshtypje që mund të bëhen edhe gabime. Unë jam përqendruar vetëm në përkthimin origjinal, pastaj secili e ka mënyrën e vet të përkthimit dhe pastaj interpretimit. Dikush mund të jetë më i qartë në përkthim, dikush më ndryshe. Por, tu them të drejtën, kam pritur më shumë angazhim nga studiuesit që të kapen më gjerësisht në punët e përkthimeve”.

Lajmi.net: A ka pasur përkthime tjera të Kur’anit pas përkthimit tuaj ?

Mehdiu: Më herët  ka pasur përkthime, por kanë qenë të pjesshëm. Përkthim imi ka qenë i pari, si përkthim në tërësi në vitin 1985. Ndërkohë, pas këtij përkthimi janë bërë edhe përkthime tjera në shqip. Njëmbëdhjetë përkthime janë deri më tani në gjuhën shqipe të Kur’anit.

Lajmi.net: Cilin përkthim të Kur’anit e kanë në dorë më së shumti sot familjet në Kosovë ?

Mehdiu: Ç’është e drejtë më shumë e kanë në dorë përkthimin e Mulla Sherifit, pra të Sherif Ahmetit. Është një botim i vitit 2001 më dukët. Pra, ky përkthim është më shumë në duart e qytetarëve  për shkak se është bërë në 1 milion kopje. Bile ka pasur edhe ribotime të Kur’anit që është përkthyer nga Mulla Sherifi. Unë kam pasur disa kushte tjera, nuk kam lejuar që të ma ribotojnë atë botimin e parë, ngase kam bërë intervenime, disa plotësime jo kush e di çfarë, por disa gabime më shumë teknike i kam larguar. Kështu që, ai i Mulla Sherifit është më shumë në praninë e qytetarëve, e mandej vjen i Mullah Hasan Efendis, pra i Hasan ef. Nahit. Edhe ai është ribotuar disa herë dhe gjendet më shumë në qarkullim. Vitin që kaloi  përkthimi im e ka pasur ribotimin e tretë, por ka qenë në tirazh jo të madh, rreth 1000 kopje.

Lajmi.net: Cili nga këto përkthime është më shumë nëpër duart e imamëve nëpër xhami gjatë ligjërimeve?

Mehdiu: Nuk mund ta di se cilin e kanë ata. I kanë në duar të gjithë, cilin e përdorin nuk u kam vu vesh. Kanë mundësi ta kenë edhe timin, por më duket që nuk e duan fort , pasi nuk e kanë kërkuar aq shumë. Botimin tim e ka botuar Bashkësia Islame, por më pak është shpërndarë nëpër xhami. Por, nuk mund të them shumë se cilin e përdorin imamët, pasi ata mund të mos kenë shumë nevojë ta shfrytëzojnë përkthimin, shumica nga ta operojnë me origjinalin, por nëse është më përkthim nuk e di.

Lajmi.net: A jeni i kënaqur me përkthimet apo edhe interpretimet e Kur’anit brenda xhamive nga imamët ?

Mehdiu: Për interpretime, unë kam njëfarë kandari tjetër . Nuk u jap shumë rëndësi kush se si interpreton, sepse në interpretime kam përshtypjen që mund të bëhen edhe gabime.  Unë jam përqendruar vetëm në përkthimin origjinal, pastaj secili e ka mënyrën e vetë të përkthimit dhe pastaj interpretimit. Dikush mund të jetë me i qartë në përkthim, dikush ma ndryshe. Por, tu them të drejtën, unë kam pritur më shumë angazhim nga studiuesit që të kapën më gjerësisht në punët e përkthimeve.

Lajmi.net: Sa je i kënaqur me myslimanët e Kosovës, a e aplikojnë ata sa duhet Kur’anin dhe rregullat islame?

Mehdiu: Nuk e di, për këtë duhen hulumtime më të detajuara, duhet të shihet nëpër xhami, nëpër qytete e katunde etj, etj; pastaj do të mund të them diçka në lidhje me këtë çështje. Unë nuk kam bërë këso hulumtimesh. Pra, nuk mund të jap ndonjë vlerësim pa e bërë ndonjë analizë më të detajuar. Ai që bënë këso analizash të paktën duhet ta njeh Kuranin dhe hadithet e Pejgamberit.

Lajmi.net: Cili është mesazhi juaj për festën e Fitër Bajramit ?

Mediu: Fillimisht më duhet të them, Allahu ua pranoftë atyre që e kanë agjëruar Ramazanin. Ata që nuk e kanë agjëruar, inshallah kur të vije tjetri i gjënë më mirë dhe më të kthjellët dhe le ta agjërojnë sepse e kanë për vete. Ata që e agjërojnë e kanë edha një përparësi tjetër se bëhen më të dobishëm dhe të përshtatshëm për sjelljet njerëzore sepse ramazani ndikon në këtë. Ua uroj të gjithëve festën dhe shpresoj që tjetrin ta presion më mirë. /Lajmi.net/