A po e blen KEDS-in ‘Devolli Group’?

Konsorciumi turk ’Çalik-Limak’, që mori nën menaxhim vitin e kaluar Rrjetin e Shpërndarjes dhe të Furnizimit me Energji (KEDS), mund të mos jetë për shumë kohë pronar, pasi dyshohet se nuk do të mund t’i realizojë investimet e premtuara.

Lajme

05/09/2014 09:40

Kjo kompani, sipas burimeve të gazetës “Kosova Sot” edhe pse ka arritur të bindë Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritje të tarifave për dy herë radhazi, po has në shumë vëshitrësi në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.

“Mënyra se si është shitur me aq pak para, ka lënë të kuptojë që konsociumi turk ‘Limak’, nuk do ta ketë gjatë në menaxhim të kësaj kompanie, për këtë arsye janë bërë matematika që pas 3 apo 4 vjetësh, me arsyetimin se gjoja po dështon në sigurimin e energjisë elektrike, do ta sjellë kompaninë në prag të falimentimit”, është shprehur burimi i kësaj gazete, i afërt me zhvillimet energjetike.

Sipas të njëjtit burim, pronari i KEDS-it në rast të dështimit të konsorciumit turk, do të bëhet një kompani vendore.

“Ka shumë mundësi t’ia shesë atë një kompanie vendore, e që shumë shpejt pronar i KEDS-it do të bëhet kompania e dy vëllezërve, Shkëlqim e Blerim Devolli”, ka thënë ky burim i njohur për redaksinë.