A ka nevojë Kosova për një ligj për mediat ?

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) së bashku me Drejtorinë për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë (DRLA) kanë mbajtur tryezë diskutimi më temë “A ka nevojë Kosova për një ligj për mediat”, ku pjesë e diskutimit kanë qenë akterë relevant të cilët merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve si dhe, trupave të tjerë vetërregullues që e mbulojnë fushën e medieve në Kosovë.

Lajme

29/06/2018 13:48

Paralajmërimi i komisionit parlamentarë për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media se do të marrë iniciativë për hartimin e një draft ligjit për mediet në Kosovë ka ngjallur reagime të shumta të mekanizimeve gjegjës të cilët, në parim kanë kundërshtuar një iniciativë të tillë.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Petrit Çollaku, ka thënë se akoma nuk dihet qëllimi i deputetëve të këtij komisioni parlamentar se përse është e nevojshme normimi i fushës së medieve. Çollaku ka bërë të ditur se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kundërshtuar një ide të tillë, për arsye se një iniciativë e pa shpjeguar si kjo e komisionit parlamentarë për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media mund të ketë për qëllim kontrollin e medieve dhe censurimin e punës së gazetarëve në vend.

Sipas Çollakut, Kosova ka një infrastrukturë mirë ligjore e cila në mënyrë të qartë dhe të drejtë i rregullojnë fushat të cilat ndërlidhen drejtpërsëdrejti më lirinë e shprehjes, mirëpo ajo që mungon në vazhdimësi është vullneti institucional për t’i zbatuar në praktikë këto ligje.

Kundër nismës për hartimin e një ligji për medie ishte edhe Kryetari i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara (KMShK) Imer Mushkolaj, i cili ka thënë se një ide e tillë është e rrezikshme, sepse, më tepër se rregullim kjo nismë synohet të jetë censurë më ligj.

“Po flasim për një temë të rëndësishme, kjo është një paralajmërim, kemi një arsyetim të pa arsyeshëm ku thuhej se Kosova ka nevojë për një ligj për mediet dhe disiplinimin e portaleve. Kjo është shqetësuese dhe kjo mund të jetë një nismë e ndonjë individi i cili tashmë është pjesë e komisionit. Ideja që të hartohet një ligj kinse për disiplinimin e portaleve është tepër e rrezikshme dhe për më tepër si rregullim, kjo nismë synohet të jetë censurë më ligj. Kosova ka një kornizë ligjore të mjaftueshëm që ndërlidhën me këtë fushë, mirëpo ajo çka mungon është zbatimi i tyre”, ka thënë Mushkolaj.

Tutje, sipas Mushkolajt, Kosova ka trupa vetërregullues të cilët merren me shqyrtimin e rasteve kur mediet bëjnë raportime jo korrekte dhe jo profesionale. Sipas tij është e vërtetë që ka shumë medie online të cilat përveç se nuk janë të regjistruara në mekanizmat vetërregullues nuk figurojnë as në regjistrin e bizneseve pranë institucioneve përkatëse dhe sipas tij, më këtë problematikë do të duhej të merreshin organet e ndjekjes siç janë policia dhe prokuroria.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Muja Ferati, në përgjithësi ka folur për fushëveprimtarinë e këtij trupi vetërregullues, ku ka thënë se politikat e këtij institucioni janë në përputhje me standardet e BE-së. Sipas Feratit, fusha e medieve nuk është mjaftueshëm e rregulluar dhe se mund të jetë e nevojshme të ketë rregullime shtesë, mirëpo, sipas tij, paraprakisht duhet të ketë një analizë të gjërë në lidhje me atë se ku duhen të bëhen këto ndryshime.

Ndërkaq, Zekria Shabani, gjatë prezantimit të një hulumtimi parlamentar për Ligjin për Mediat, ka paraqitur shembuj të legjislacioneve të Malit të Zi dhe disa vendeve të BE-së sa i përket fushës së medieve.

Kujtojmë se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) më datë 8 maj 2018, kishte reaguar në lidhje me iniciativën e hartimit të një draft ligji për medie nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media duke e konsideruar këtë nismë si një tendencë politike për ta kontrolluar, kufizuar dhe cenuar lirinë e shprehjes.

AGK kishte kërkuar nga institucionet e vendit që para se të fillojnë çfarëdo iniciative për hartimin e ligjeve të reja, të angazhohen maksimalisht në zbatimin e ligjeve aktuale sepse zbatimi i tyre pashmangshëm ndikon një krijimin e një ambienti të sigurtë për gazetarët dhe rritjen e profesionalizmit te mediet./Lajmi.net/