A duhet mbrojtur monumentin e Bashkim Vllaznimit në Prishtinë – Lajmi.net
A duhet mbrojtur monumentin e Bashkim Vllaznimit në Prishtinë
Autori: Lajmi.net Opinion 12:33, 21 March 2018

Shkruan: Arch. Ylber Vokshi-Ylli

Pik së pari duhet hulumtuar dhe analizuar kur,ku dhe përse u ndërtua ky monument në këtë lokacion, që nga aspekti urbanistik i ka shkaktuar dëme të mëdha funksionimit normal të kësaj zone të qytetit të Prishtinës. Me atë zgjidhjen ”famoze“ urbanistike të atyre viteve revolucionare komuniste, nën moton “të rrënojmë të vjetrën të ndërtojmë të renë”,është bërë krimi ma i madh urban i asaj qyteze që ishte emëruar kryeqytet i Kosovës. U rrënua mu bërthama e qytetit të vjetër për të ndërtuar infrastrukturën e re administrative dhe politike, për të ia humbur gjurmët dhe identitetin urban të krijuar me shekuj. Ky plan ogurzi u realizua me sukses, pa guxuar dikush të kundërshtoi,e sot në shumë shkolla të arkitekturës analizohet dhe trajtohet si shembull i keq në fushën e urbanistikës së qytetit.

Mu në këto vite (1961) u sajua sheshi dhe monumenti i Bashkim Vllaznimit, duke ndërprerë rrugën apo aortën natyrore komunikuese që ekzistonte në atë zonë të qytezës, në mes të pjesës lindore (Vellushë-Germi ) dhe asaj perëndimore ( Tophane-Arbëri), që edhe sot i ka pasojat e veta duke krijuar një fyt të ngushtë komunikacioni në trafikun automobilistik në mes të atyre dy pjesëve të qytetit, Me “baj-pasin” e krijuar rreth objektit të Komunës së Prishtinës, sot kur është shumëfishuar komunikacioni,  paraqet një pengesë të madhe që me procesin e rehabilitimit urban të asaj zone duhet seriozisht trajtuar dhe zgjidhur.

Zgjidhja ma e preferuar do të ishte kthimi i rrugës komunikuese të dikurshme që lidhte këto dy pjesë të qytetit e që dhunshëm e ndërpre me ndërtimin e sheshit, që nënkupton dislokimin e monumentit dhe ri-dizajnimin e asaj zone me kapacitetet reja të dizajnit urban. Lidhshmëria në mes të Komunës dhe Kuvendit të Kosovës mundet të arrihet me forma tjera që do të rrjedhin nga rehabilitimi urban i asaj zone.

Jam përkrahës i madh i vlerësimit  dhe mbrojtjes së identitetit urban të krijuar me shekuj. Nuk do të thotë se çdo objekt i vjetër apo përmendore të ka vlera arkitektonike,artistike apo historike,e aq ma pak që atribute të tilla të kenë monumentet apo përmendoret ideologjike të një kohe të caktuar,të cilat vdesin dhe zhduken së bashku me përfundimin e ideologjisë si në rastin konkret asaj komuniste,pasi që u treguan të pa qëndrueshëm në kohën e sotme. Mbrojtja e tyre me çdo kusht,si po tentojnë disa,duke u thirr në disa vlera jo të qëndrueshme, mundet të ketë efekte të pa dëshirueshme negative.

Natyrisht ato monumente që  kanë vlera të pa kontestueshme artistike janë shpallur si monumente në mbrojtjen e shtetit dhe është vështirë të zhvlerësohen nga dikush tjetër. Në rastin konkret monumenti i Bashkim Vllaznimit as që është vlerësuar si i tillë, edhe se sipas disave  ka vlera artistike. Dilema profesionale ende ekziston se sa   ky punim është punuar për këtë mjedis apo është katapulltuar nga ndonjë projekt tjetër, që ka qenë dukuri normale në ato kohëra.

Në atë zonë të sheshit në perimetrin mbrojtës, gjinden edhe rrënojat të disa objekteve (Hamamit të vogël, Xhamia e Çarshisë,një shtëpi karakteristike) të cilat janë në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme shtetërore të MKRS. Është i domosdoshëm sinkronizimi i hapave të ardhshëm me Ministrin.

Një është e sigurt kthimi i rrugës së vjetër që sot do të lidhte rrugën “UÇK” me atë “Nazim Gafurri” me modifikimin e udhëkryqit ekzistues,me shpronësime simbolike, nuk do të pengonte askënd e në anën tjetër do të çlironte komunikacionin automobilistik në të gjitha drejtimet.

Janë të njohura raste të shumta në botë që për interesa madhore janë dislokuar   edhe objekte nën mbrojtje, e në rastin konkret kemi të bëjmë me një përmendore që është menduar ti shërbejë propagandës agresive politike të  vëllazërim bashkimit,i ndërtuar në vitin 1961, mu në kohën kur represioni ndaj popullatës shumicë shqiptare të Kosovës kishte mbërritur kulminacionin e vet, nga regjimi ushtarako policor sllavo komunist (koha e Rankoviqit ).

Nostalgjikët e asaj kohe kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e asaj përmendoreje duke u thirrur në memorien historike apo disa vlera tjera, që pushteti i asaj kohe ka tentuar ti propagoi me të gjitha mjetet e mundshme. Por kur ato u imponuan me dhunë dhe represion,si e tregoi realiteti i ma vonshëm në Kosovë, atëherë atë periodë nuk duhet vlerësuar pozitivisht,aq ma tepër që ky monument nuk është vlerësuar të jetë në listën e monumenteve të mbrojtura nga shteti.

Krejt çka mundet me u tolerua sot është dislokimi i tij në një lokacion tjetër së bashku me simbole tjera të kohës,që do të iu shërbente hulumtuesve, historianëve, nostalgjikëve,turistëve dhe të tjerëve me i studiuar dhe analizuar atë kohë të kaluar, që ma së miri shpjegohet me anën e këtyre përmendoreve të së kaluarës tonë,e jo me insistime të pa qëndrueshme të kërkojnë frenimin e proceseve progresive dhe të dobishme urbanë në atë pjesë të qytetit me rikthimin e rrugës,që për momentin është i domosdoshëm.

E sa i përket  emërtimit të asaj hapësire sheshi  “Adem Jashari” kjo tregon miopin politike të atyre që sipërfaqësish japin ose marrin vendime të tilla që ma së paku e ka merituar personaliteti i tij që e flijoi jetën për lirinë e Kosovës. Vendi adekuat i një sheshi të tillë duhet definuar dhe caktuar pas një pune profesionale të ekspertëve të urbanistikës dhe të tjerëve,që në Kosovë u tregua si nocion i huaj në fushën e urbanistikes dhe planifikimit hapësinor në shekullin 21.

Mobiliari urban pjesë e të cilit janë edhe monumentet ideologjike të një kohe të kaluar, si është monumenti i dedikuar idesë së Vëllazërim Bashkimit në qendër të Prishtinës i quajtur “Monument dedikuar Luftëtarëve të Rënë”,do  të zhduket ashtu si  ka ndodhur me skulptura dhe përmendore të ndryshme në të kaluarën. Kjo ka ndodhur në Ballkan pasi pa kurrfarë  kriteresh janë vendosur përmendore ideologjike duke  i zëvendësuar ato të kaluarat, duke mos menduar në qëndrueshmërinë kohore të tyre.

Frikohem se fatin e ngjashëm do ta kenë edhe shumë përmendore dhe monumente nga lufta e fundit në Kosovë pasi të kalon euforia çlirimtarë, pasi janë ndërtuar dhe vendosur në lokacione të ndryshe pa analiza hapësinore dhe urbane, e që do të tregohen të pa qëndrueshme me kohën.

Ndërmarrja e domosdoshme e këtyre ditëve e Komunës së Prishtinës në sanimin sipërfaqësor të shkallëve dhe platos së sheshit sipas trendeve aktuale në botë, pa ndryshuar pozitivisht asgjë,sipas kërkesave dhe nevojave të kohës, tregon pa aftësinë tonë dhe mos guximin për të ndërmarrë diçka pozitive për të mirën e të gjithë neve, pa cenuar principet ndërkombëtare të planifikimit urban,që në rastin konkret kishte mundësi,e që i apostrofova në këtë shkrim. Prandaj reagimet publike që u plasuan në tregun mediatik këto ditë nga individët dhe asociacionet e ndryshme,nuk janë të qarta se për çka po polemizohet kur asgjë nuk po ndryshon nga koncepti komunist i para gati 60 vite.

Veprime të tilla kemi edhe në disa raste tjera në Prishtinë dhe qytete tjera,kjo formë e punës dhe mos punës po na hakmerret në kualitetin e jetës urbane edhe ashtu të varfër në Prishtinë dhe Kosovë./Lajmi.net/

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO