Gjini flet për pjesëmarrjen në protestën e së shtunës

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka thënë se protesta e 14 majit, e organizuar nga AAK dhe NISMA do të jetë shumë e madhe, në kontekst të pjesëmarrjes së qytetarëve dhe mënyrës së mbajtjes së saj, njofton Klan Kosova.

Lajme

13/05/2016 18:44

“Të gjitha përgatitjet për protestë janë kryer. Do të ketë shumë qytetarë pjesëmarrës në të. Si protestë pritet që të jetë, ndoshta, më e madhja ndonjëherë. Kjo protestë do ta përcjellë edhe një herë tjetër mesazhin se “në Kosovë ka popull, jo bagëti””.

Ai ka deklaruar se Vetëvendosja ka gabuar me vendimin për mospjesëmarrje në protestë, pasi arsyet për të protestuar janë ende aty.

“Mendoj se Vetëvendosja ka gabuar që nuk na është bashkuar në protestë, ndërsa vendimi është krejtësisht politik dhe ka të bëjë vetëm me interesa politike, me asgjë tjetër”.

“Sepse arsyet për të protestuar nuk janë zhdukur. Dhe nëse një parti politike vendos që të mos i bashkohet atëherë s’ka si të mos jetë politik një vendim i tillë”.

Gjini ka theksuar se pjesëmarrja e qytetarëve në protestës do të tregoj se sa shumë njerëz nuk pajtohen me mënyrën si po qeveriset vendi.

“Përkundër disa lajmeve të mira, që nuk janë meritë e qeverisë, arsye për të protestuar ka shumë – e para është se nuk do të ndryshojë mirëqenia e qytetarit me liberalizimin e vizave”.

“Do të jetë lajm i mirë, për të gjithë, nëse sa më shumë qytetarë tregojnë përmes pjesëmarrjes së tyre në protestë se nuk pajtohen me mënyrën si po qeveriset vendi”.

Sipas tij, demarkacioni me Malin e Zi është një gabim i madh i Qeverisë së Kosovës, që dëshmohet me harta, opinione të ekspretëve dhe nga vetë banorët, njofton Klan Kosova.

“Nuk besoj se ka ndonjë njeri që nuk e ka të qartë humbjen e madhe në territor të vendit përmes demarkacionit me Malin e Zi. Tani çështja është pse ka ndodhur kështu, jo a dëmtohemi”.

“Edhe sipas banorëve, edhe sipas ekspertëve dhe sipas hartave ky veprim është i gabueshëm”.