Zyrtari policor plagosi nënën e tij në Prishtinë, ende s’dihet si ndodhi ngjarja

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan sot në rrugën “Mukadeze Lika-Muhaxheri” në Prishtinë. Si shkak i këtyre të shtënave e plagosur mbeti një grua. E nga informacionet e para në lidhje me këtë rast raportohet se i përfshirë në këtë vepër është një zyrtar policor. Madje thuhet se zyrtari policor ka shtënë me armë…

Lajme

04/10/2024 15:44

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan sot në rrugën “Mukadeze Lika-Muhaxheri” në Prishtinë.

Si shkak i këtyre të shtënave e plagosur mbeti një grua.

E nga informacionet e para në lidhje me këtë rast raportohet se i përfshirë në këtë vepër është një zyrtar policor.

Madje thuhet se zyrtari policor ka shtënë me armë zjarri në drejtim të nënës së tij, duke e lënë kështu të plagosur.

E se në vendin e ngjarjes janë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 12:20, kemi marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person. E lënduara është dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me Prokurorinë dhe IPK-në janë duke u marrë me rastin”,tha ajo.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, por ende nuk ka asgjë zyrtare./Lajmi.net/

Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, plagoset një grua