Zyrtarë të Policisë së Kosovës përfundojnë me sukses programin ndërkombëtar të internshipit në Gjermani

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses programin ndërkombëtar të Internshipit dhe shkëmbimit të përvojave policore, të organizuar në Universitetin Policor të Brandenburgut në Gjermani, gjatë periudhës 3–7 gusht 2026. Programi, në të cilin morën pjesë zyrtarë policorë nga vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave profesionale…

Lajme

09/08/2026 15:57

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses programin ndërkombëtar të Internshipit dhe shkëmbimit të përvojave policore, të organizuar në Universitetin Policor të Brandenburgut në Gjermani, gjatë periudhës 3–7 gusht 2026.

Programi, në të cilin morën pjesë zyrtarë policorë nga vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e praktikave bashkëkohore në fushën e zbatimit të ligjit.

Gjatë programit, pjesëmarrësit zhvilluan ushtrime të përbashkëta taktiko-operative, praktika për arrestime dhe kontrolle të objekteve, si dhe trajtimin profesional të rasteve të dhunës në familje. Po ashtu, u realizuan vizita në njësi të ndryshme të Policisë Gjermane, përfshirë policinë ujore dhe njësitë e specializuara, si dhe vizita në Berlin dhe në Bundestagun Gjerman.

“Ky program ishte një mundësi e rëndësishme për të shkëmbyer përvoja profesionale me kolegë nga vende të ndryshme dhe për të krahasuar praktikat policore në funksion të avancimit të mëtejshëm të punës sonë”, u shprehën zyrtarët pjesëmarrës nga Policia e Kosovës.

Një vëmendje e veçantë gjatë programit iu kushtua ushtrimeve praktike për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ku qasjet dhe metodat e prezantuara nga Policia e Kosovës u vlerësuan lartë nga pjesëmarrësit ndërkombëtarë.

“Përvoja jonë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje u prezantua si pjesë e shkëmbimit profesional dhe mori vlerësim pozitiv nga kolegët ndërkombëtarë. Kjo dëshmon rëndësinë e ndarjes së praktikave dhe të mësimit të ndërsjellë”, theksuan zyrtarët e PK-së.

Pjesëmarrja në këtë program përfaqësoi një mundësi të rëndësishme për promovimin e përvojës, profesionalizmit dhe praktikave të Policisë së Kosovës në fushën e sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me institucione policore ndërkombëtare.

“Bashkëpunimi me Universitetin Policor të Brandenburgut është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin profesional. Programet e tilla krijojnë mundësi për të mësuar nga praktikat më të mira ndërkombëtare dhe njëkohësisht për të prezantuar përvojën dhe standardet e Policisë së Kosovës”, u deklarua nga pjesëmarrësit.

Në përfundim të programit u vlerësua se vazhdimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Universitetit Policor të Brandenburgut përmes programeve të internshipit, trajnimeve praktike dhe shkëmbimit të përvojave, mbetet i rëndësishëm për avancimin profesional dhe modernizimin e vazhdueshëm të shërbimit policor.

“Ky bashkëpunim dëshmon se shkëmbimi i përvojave dhe njohurive profesionale është një nga mekanizmat më të rëndësishëm për ndërtimin e një policie moderne, profesionale dhe të orientuar drejt standardeve ndërkombëtare”, u theksua në përmbyllje të programit. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: