Zyrtarë të MZHR-së përdorën kartelën kreditore për qëllime jozyrtare
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar për shfrytëzim të parregullt të kartelave kreditore nga Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) në vlerë prej mbi 36 mijë eurosh gjatë vitit 2024, sipas të dhënave nga Pasqyrat Financiare Vjetore. Nga kjo shumë, rreth 4 mijë e 186 euro janë tërhequr për qëllime jozyrtare nga zëvendësministri, Ali Tafarshiku, i…

Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar për shfrytëzim të parregullt të kartelave kreditore nga Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) në vlerë prej mbi 36 mijë eurosh gjatë vitit 2024, sipas të dhënave nga Pasqyrat Financiare Vjetore.
Nga kjo shumë, rreth 4 mijë e 186 euro janë tërhequr për qëllime jozyrtare nga zëvendësministri, Ali Tafarshiku, i cili nuk i ka kthyer mjetet brenda afatit të përcaktuar me ligj.
“Mjetet prej 33 mijë e 683 euro kanë të bëjnë me tërheqje nga kredit kartela. Prej tyre, obligimi prej 29 mijë e 497 euro, i cili figuron në SIMFK, është i mbi- vlerësuar si rezultat i mos-marrëveshjeve në mes të Thesarit dhe sistemit bankar për shlyrje të obligimeve. Ministria ishte në komunikim të vazhdueshëm me Thesar për të rregulluar këtë çështje”.
Në raport theksohet se ministria në janar të vitit 2025 kishte marrë vendim për ndalesë në pagë ndaj zyrtarit përgjegjës me qëllim të përmbushjes së detyrimit të krijuar nga kredit kartela.
“Mjetet prej 4 mijë e 186 euro ishin obligime sa i përket tërheqjeve me kredit kartelë gjatë vitit 2023 dhe 2024 për qëllime jo zyrtare nga ana e zëvendësministrit dhe mos-kthim i mjeteve brenda afatit të paraparë ligjor”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Sipas ZKA-së mos arsyetimi dhe mos kthimi i mjeteve brenda afatit ligjor, si dhe përdorimi i kartelave kreditore për qëllime jozyrtare, ka ardhur si rezultat i mungesës së kontrolleve të brendshme efektive dhe neglizhencës së zyrtarëve përgjegjës.
Auditorët kanë kërkuar nga Ministri i Zhvillimit Rajonal që të forcojë kontrollet e brendshme për menaxhimin e kartelave kreditore dhe të sigurojë përmbylljen e të gjitha avanceve brenda afateve ligjore.
Gjithashtu, është kërkuar përmirësim i komunikimit me Thesarin dhe bankat për harmonizim të saktë të të dhënave financiare.