Zyrtarë të MPJD-së takohen me ata të shteteve jo-njohëse, nuk guxojnë të shpërndajnë foto shkaku i “rrethanave të ndjeshme”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se zëvendësministrja Liza Gashi ka zhvilluar takime me shtete jo-njohëse në margjina të “Samitit të Amerikave” që po mbahet në SHBA, ku po qëndron edhe kryediplomatja Gërvalla.

Lajme

10/06/2022 22:54

Një gjë e tillë u bë e ditur nëpërmjet një komunikate dërguar mediave, duke thënë se nuk mund të ndajnë informacione të mëtutjeshme për, siç vlerësojnë ata, “rrethanave të ndjeshme”, raporton lajmi.net.

“Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht Minstrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bashkë me zëvendësministren Liza Gashi, në margjina të „Summit of the Americas“, patën mundësinë të zhvillojnë takime edhe me shumë shtete jonjohëse. Megjithatë kërkojmë mirëkuptim se për shkak të rrethanave të ndjeshme dhe proceseve të lidhura me to nuk mund të publikojmë asnjë foto, emër dhe detaj tjetër nga këto takime”, thuhet në komunikatë.

Përgjatë së premtes u bë e ditur se në margjina të këtij samiti, kryediplomatja Gërvalla ka mbajtur takim me sekretarin e Departamentit amerikan të Shtetit. Gërvalla njoftoi në ‘Facebook’ se Blinken i tha që Kosova zë vend të veçantë në presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

“Biseda me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken rreth sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkan dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës ishte shumë inkurajuese, domethënëse dhe e përzemërt. Lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbetet gjithmonë e veçantë”, njoftoi ajo.

“Sekretarin Blinken e falënderova jo vetëm për ftesën, por edhe për mbështetjen e pakrahasueshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Sekretari Blinken gjatë kësaj bisede ritheksoi që Kosova zë një vend të veçantë në zemrën e Presidentit Biden”, përfundoi njoftimi i shefes së diplomacisë. /Lajmi.net/