Zyrtarë të Ambasadës së SHBA-ve hyjnë në objektin e Kuvendit të Kosovës në kohën kur po zhvillohet takimi Kurti-Osmani
Teksa Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të 40-tën herë me radhë të konstituohet, zyrtarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë parë sot duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës. Vizita vjen në një kohë të tensionuar politike, ku bllokada institucionale ka nxitur reagime të vazhdueshme nga faktori ndërkombëtar, përfshirë ambasadat…

Lajme
Teksa Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të 40-tën herë me radhë të konstituohet, zyrtarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë parë sot duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Vizita vjen në një kohë të tensionuar politike, ku bllokada institucionale ka nxitur reagime të vazhdueshme nga faktori ndërkombëtar, përfshirë ambasadat kryesore në vend, të cilat po bëjnë thirrje të përsëritura për dialog dhe gjetje të një zgjidhjeje ndërpartiake.
Për të ndihmuar në zhbllokimin e situatës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot një raund takimesh të ndara me liderët e partive politike. Takimet kanë nisur me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia që doli fituese në zgjedhjet e fundit parlamentare, transmeton lajmi.net
Sipas burimeve, takimi mes Osmanit dhe Kurtit ka filluar para më shumë se dy orësh dhe është ende në vazhdim. Pas tij, presidentja pritet të takojë edhe liderët e partive tjera parlamentare, në përpjekje për të gjetur një konsensus që do t’i hapte rrugë zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe funksionalizimit të institucionit.
Ndërkohë, nuk janë dhënë detaje rreth përmbajtjes së vizitës së zyrtarëve të Ambasadës Amerikane në Kuvend, por prania e tyre interpretohet si një sinjal i qartë i interesimit dhe shqetësimit ndërkombëtar për krizën politike në vend./lajmi.net/