Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave trajtoi 39 raste për një javë
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 13–19 mars 2026 janë trajtuar gjithsej 39 raste të reja në nivel vendi, ku pjesa më e madhe lidhet me dhunën në familje. Sipas të dhënave zyrtare, nga totali i rasteve, 35 prej tyre janë raste të dhunës në familje,…
Lajme
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 13–19 mars 2026 janë trajtuar gjithsej 39 raste të reja në nivel vendi, ku pjesa më e madhe lidhet me dhunën në familje.
Sipas të dhënave zyrtare, nga totali i rasteve, 35 prej tyre janë raste të dhunës në familje, ndërsa janë regjistruar edhe një rast i dhunimit, një rast i degradimit të integritetit seksual, një rast i kanosjes dhe një rast i krimeve të luftës.
Gjatë kësaj periudhe, janë parashtruar edhe 5 kërkesa për urdhër mbrojtje në gjykatë, si dhe 13 kërkesa për urdhër mbrojtje emergjente. Po ashtu janë regjistruar 2 kërkesa për ndërprerje të urdhrit mbrojtës.
Sa u përket vendimeve gjyqësore, janë aprovuar 16 aktvendime, një është tërhequr dhe një tjetër është refuzuar. Ndërkohë, është paraqitur edhe një kërkesë për kompensim nga fondi i viktimave.
ZMNV-ja njofton se gjatë javës janë mbajtur 63 seanca gjyqësore dhe 12 seanca në prokurori, ndërsa viktimave u janë ofruar 48 këshilla juridike.
Në aspektin e vendimeve gjyqësore, janë shqiptuar 11 aktgjykime dënuese, një refuzues dhe një lirues.
Gjithashtu, janë realizuar dy përfaqësime të rasteve në Polici, një referim në Polici, 9 referime në Qendrat për Punë Sociale (QPS) dhe dy përfaqësime të rasteve në strehimore.