Zvicra si shtëpi e dytë edhe pas liberalizimit-Këtë vit qindra kosovarë morën viza për bashkim familjar e për të punuar
Numri i qytetarëve të cilët kanë lëshuar Kosovën për një jetë më të mirë për vite me radhë është i lartë duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në uljen e fuqisë punëtore në Kosovë. Fëmijë, të rinj, çifte e të moshuar janë larguar nga Kosova edhe këtë vit për në vendet evropiane e për tu kthyer në…
Lajme
Numri i qytetarëve të cilët kanë lëshuar Kosovën për një jetë më të mirë për vite me radhë është i lartë duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në uljen e fuqisë punëtore në Kosovë.
Fëmijë, të rinj, çifte e të moshuar janë larguar nga Kosova edhe këtë vit për në vendet evropiane e për tu kthyer në Kosovë kështu vetëm për pushime.
Zvicra përpos si vend mik i Kosovës, shpesh herë ishte edhe shtëpia e dytë për shumë kosovarë. Si vend tejet i zhvilluar, Zvicra në shumë raste u pa si zgjidhje e mirë për vazhdimin e jetesës së shumë kosovarëve që kërkonin kushte e jetesë më të mirë jashtë vendlindjes.
Edhe viti 2024 u mbyll me një numër të madh të kosovarëve që morën viza pikërisht për t’iu bashkuar shqiptarëve të tjerë atje.
Ambasada e Zvicrës në Kosovë në një përgjigje për lajmi.net ka bërë të ditur se vetëm gjatë periudhës janar-nëntor ka lëshuar gjithsej 32 viza pune duke i dhënë mundësinë kështu shtetasve kosovarë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre atje.
Për dallim nga periudha e njëjtë e vitit 2023, këtë vit janë lëshuar 15 viza punë më pak, shkruan lajmi.net.
Përveç vizave të punës, ambasada e Zvicrës në Kosovë ka aprovuar gjithsej 691 viza për bashkim familjar gjatë 11 muajve të parë të vitit 2024 për dallim nga viti paraprak ku në periudhën e njëjtë janë lëshuar 1,403 viza pune ndërsa për tërë vitin gjithsej 1,483 viza D.
Liberalizimi i vizave iu ka mundësuar qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen ku bën pjesë edhe Zvicra duke ulur plotësisht numrin e kërkesave për viza turistike.
Ambasada e Zvicrës ka thënë për lajmi.net se arsyeja e rënies së numrit të kërkesave për viza pune dhe për bashkim familjar është liberalizimi i vizave për Kosovën.
“Të dyja llojet e kërkesave për leje kanë rënë që nga liberalizimi i vizave, pasi shumë njerëz tani aplikojnë direkt në Zvicër në vend që të vijnë në ambasadën tonë. Pasi të autorizohet viza, ata duhet të vijnë përsëri në ambasadë për të kërkuar një vizë hyrjeje (D) në mënyrë që të hyjnë saktë në Zvicër”, thuhet në përgjigjen e ambasadës zvicerane.
Në lidhje me procedurat për vizë pune, kjo ambasadë ka thënë se nuk ka ndryshuar asgjë pas liberalizimit të vizave dhe se procedurat vazhdojnë të jenë po të njëjtat.
“Jo, procedura është e njëjtë si më parë. Në Zvicër, punëdhënësi duhet të fillojë procedurat për lejen e punës për një punonjës të ardhshëm pranë autoriteteve kompetente kantonale të imigracionit dhe tregut të punësimit”, ka thënë ambasada e Zvicrës për lajmi.net.
Numri i madh i qytetarëve që udhëtojnë për në Zvicër si për turizëm, ashtu edhe për punë dhe për të bashkuar në çift lidhet ngushtë edhe me numrin e madh të kosovarëve që jetojnë atje tash e sa vite duke hapur kështu një “derë” për familjarët e tyre.
Zvicra dhe Gjermania ndër vite janë dy vendet më të frekuentuar nga kosovarët, si për vizita turistike si për punë e bashkim familjar./Lajmi.net/