Zv/ministri Gashani “acarohet” që Gërvallës iu publikua shkrimi ku kritikonte Grenell dhe Trump-in, nis e ofendon gazetarët

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Blerim Gashani ka reaguar ashpër pas publikimit të shkrimit të ministres Donika Gërvalla ku kritikonte Grenellin dhe Trumpin. Ai pas kësaj ka kritikuar e ofenduar ashpër gazetarët të cilët e kanë publikuar, shkruan lajmi.net. Gashani ata i ka quajtur “zëdhënës oligarkësh” e “hyzmeqarë të…

Lajme

07/11/2024 14:21

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Blerim Gashani ka reaguar ashpër pas publikimit të shkrimit të ministres Donika Gërvalla ku kritikonte Grenellin dhe Trumpin.

Ai pas kësaj ka kritikuar e ofenduar ashpër gazetarët të cilët e kanë publikuar, shkruan lajmi.net.

Gashani ata i ka quajtur “zëdhënës oligarkësh” e “hyzmeqarë të grupeve të interesit”.

“Hyzmeqarë të grupeve të interesit, gazetarë që vetëm gazetarë më nuk janë, zëdhënës oligarkësh, zyrtarë të lartë të rënë nga vakti, funksionarë e politikanë të rrëzuar e, gjithsesi, të rrënuar, që ‘janë të gatshëm të kontribuojnë për çAshtjen’ – sidomos duke nënshkruar diku – dhe kameleonë të tjerë eternalë, që nga dje, nën ethe, me gëzimin e shpresën që ua ushqejnë qarqe që këta i njohin vetëm përmes ndërmjetësve dhe me energji të rilindur, po e mbrojnë superfuqinë më të madhe që ka prodhuar njerëzimi dhe fanarin shëndritës të demokracisë, nga Kryeministri Kurti dhe nga zëvendësja e tij Gërvalla. Lum miqtë e mëdhenj të Kosovës për këta protektorë!”, ka shkruar Gashani në Facebook. 

Në vitin 2021, ishte kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale kishte përshëndetur humbjen e Trumpit.

Ajo kishte thënë se as Trumpi dhe as Grenelli, nuk janë interesuar asnjëherë për Kosovën.

“Në Gjermani Grenelli ka qenë një ambassador skandaloz dhe po aq skandaloz ka qenë si i dërguar i presidentit amerikan në Kosovë. Qytetarët amerikan i kanë larguar tashmë që të dy nga postet e tyre të larta. Të dy kanë tentuar më pas që zgjedhjet e lira në Amerikë të mos i pranojnë duke i quajtur të manipuluara, gënjeshtra këto që kulmuan në sulmin e armatosur ndaj Kapitolit duke i shfaqur botës ndër imazhet m ë të shëmtuara që kemi parë ndonjëherë nga Amerika.

“As Trumpi dhe as Grenelli nuk janë interesuar asnjë herë për Kosovën, ata interesohen vetëm per veten e tyre. Për fat të mirë, Grenelli mbetet vetëm një episod i shkurtër dhe i shëmtuar për vendin tonë“.

“Sa mirë të dish që Grenelli është vetëm një kapitull i së djeshmes dhe që e vetmja gjë që i ka mbetur janë mesazhet në Twitter. Zoti i ka bekuar Amerikën dhe Kosovën dhe miqësinë e tyre të përhershme”, thoshte Gërvalla. /Lajmi.net/