Zv/kryeministrja Gërvalla po vazhdon të hetohet, më 7 nëntor pritet të dal para trupit gjykues
Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz është njëra prej zyrtareve shtetërore që vazhdon të hetohet nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë në vend. Ministrja e Punëve të Jashtme, njëherësh zv/kryeministre e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz po hetohet në lidhje me akuzën për “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë”. E gjatë këtij muaji, Gjykata e Apelit ka refuzuar si…
Lajme
Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz është njëra prej zyrtareve shtetërore që vazhdon të hetohet nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë në vend.
Ministrja e Punëve të Jashtme, njëherësh zv/kryeministre e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz po hetohet në lidhje me akuzën për “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë”.
E gjatë këtij muaji, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e bërë nga mbrojtja e Gërvallës, duke e vërtetuar kështu aktvendimin e Gjykatës Themeloren ë Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar akuza e saj.
Përpos kësaj, ministrja Gërvalla pritet të dalë para trupit gjykues muajin e ardhshëm.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Seanca e radhës në kuadër të rastit të ministres Gërvalla do të zhvillohet më 7 nëntor 2024.
“Seanca e shqyrtimit gjyqësor është e caktuar për datën 07 nëntor 2024”,u tha në përgjigjen e gjykatës.
Përpos kësaj, nga kjo gjykatë është rikonfirmuar se lënda në fjalë është në procedurë e sipër.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lënda në fjalë është në procedurë e sipër”,u tha tutje.
Kundër vendimit të Gjykatës Themelore si fillim ankesë kishte paraqitur mbrojtësja e Gërvallës, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.
Ajo e kishte cilësuar këtë vendim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, aplikimit të gabuar të së drejtës materiale dhe shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Keqekolla-Sadiku kishte propozuar që Apeli të ndryshojë aktvendimin e Themelores dhe ta hedh të pabazuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Kurse Apeli përmes parashtresës kishte propozuar që ankesa e mbrojtjes së Gërvallës të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Pas kësaj, Apeli kishte cilësuar se ankesa e mbrojtjes nuk është e bazuar dhe ajo ishte hedhur poshtë.
Ndryshe në bazë të akuzës së Prokurorisë Themeloren ë Prishtinë, më 31 janar 2023, ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.
Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.
Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.
Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.
Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës./Lajmi.net/