Zulfaj: Me SEPA-n, diaspora dhe bizneset do të kursenin rreth 60 milionë euro nga kostot e pagesave

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në SEPA do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë për diasporën dhe bizneset, duke ulur kostot e remitancave dhe transaksioneve ndërkombëtare. Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Zulfaj tha se Kosova kishte dërguar në Kuvend dy ligje që lidhen me…

Lajme

05/07/2026 13:36

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në SEPA do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë për diasporën dhe bizneset, duke ulur kostot e remitancave dhe transaksioneve ndërkombëtare.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Zulfaj tha se Kosova kishte dërguar në Kuvend dy ligje që lidhen me SEPA-n, por vetëm njëri prej tyre ka kaluar.

Sipas tij, bëhet fjalë për ligje të rëndësishme që lidhen me integrimin e Kosovës në Zonën Unike Evropiane të Pagesave, e njohur si SEPA.

“U dërguan disa ligje, duke përfshirë edhe dy ligjet që ishin për SEPA-n. SEPA është zona për kryerjen e pagesave, Single European Payment Area, domethënë zona e vetme ose unike për kryerjen e pagesave”, deklaroi Zulfaj.

Ai tha se përfshirja e Kosovës në SEPA do të ulte ndjeshëm kostot që sot i paguajnë qytetarët, diaspora dhe bizneset për dërgesa e transaksione ndërkombëtare.

“Te remitancat që dërgon diaspora dhe te transaksionet që kryejnë bizneset tona, Oda Ekonomike Gjermane llogarit se afër 60 milionë euro janë kostot, të cilat reduktohen në momentin kur bëhemi pjesë e SEPA-s”, u shpreh ai.

Zulfaj tregoi se nga dy ligjet e dërguara në Kuvend, Ligji për Shërbimin e Pagesave ka kaluar, ndërsa ligji që lidhet me financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave nuk është miratuar.

“Të dy ligjet shkuan në Kuvend dhe njëri kaloi, ai për shërbimin e pagesave. Ky për financimin kundër terrorizmit dhe shpëlarjes së parave nuk kaloi”, tha Zulfaj.

Sipas tij, arsyetimi se ligji po kërkohej të kalonte me procedurë të shpejtë nuk qëndron, pasi Kuvendi nuk ishte duke funksionuar me ritëm të rregullt dhe koha për miratimin e reformave ishte e kufizuar.

“Arsyetimi ishte i keq, se po kërkohet të kalojë me procedurë të shpejtë. Mirëpo në kohën kur Kuvendi nuk do të funksionojë dymbëdhjetë muaj, por vetëm një muaj, sigurisht se gjërat duhet të përshpejtohen”, deklaroi ai.

Zulfaj tha se vonesat në miratimin e ligjeve të tilla ndikojnë edhe në humbjen e mjeteve nga Plani i Rritjes, pasi reformat janë të lidhura me afate të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

“Nëse nuk duam që të humbim mjete nga Plani i Rritjes, gjërat duhet të përshpejtohen”, u shpreh Zulfaj.

Ai shtoi se ngadalësimi në kryerjen e reformave duhet të lidhet me bllokadën në Kuvend, pasi shumë prej reformave kërkojnë miratim ligjor.

“Mendoj që ngadalësimi në kryerjen e reformave duhet t’i adresohet shumë Kuvendit, bllokadës që ka ndodhur në Kuvend”, tha ai.

Çka është SEPA dhe si funksionon?

SEPA, apo Zona Unike Evropiane e Pagesave, është një mekanizëm evropian që synon t’i bëjë pagesat në euro ndërmjet shteteve pjesëmarrëse po aq të thjeshta, të shpejta dhe të sigurta sa pagesat brenda një vendi. Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset mund të dërgojnë ose pranojnë para në euro me kushte dhe standarde të unifikuara, pavarësisht nëse pagesa bëhet brenda shtetit apo drejt një vendi tjetër pjesëmarrës.

Në praktikë, SEPA funksionon përmes rregullave dhe standardeve të përbashkëta bankare për transfere, debitime direkte dhe pagesa të tjera në euro. Qëllimi është të ulen dallimet mes pagesave vendore dhe atyre ndërkufitare, duke i bërë transaksionet më efikase dhe më të lira për qytetarët, diasporën dhe bizneset.

Për Kosovën, përfshirja në SEPA do të ishte e rëndësishme sidomos për remitancat nga diaspora dhe pagesat ndërkombëtare të bizneseve. Nëse Kosova bëhet pjesë e këtij sistemi, dërgimi i parave dhe pagesat në euro drejt vendeve pjesëmarrëse do të mund të bëheshin me kosto më të ulëta dhe me procedura më të standardizuara./telegrafi