Zulfaj i kundërpërgjigjet propagandës së ministrit serb: Shqiptarëve iu privohen të drejtat në Serbi
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit serb për Integrimin Evropian, Nemanja Staroviq, i cili e ka cilësuar komunitetin serb në Kosovë si “grupin etnik më të privuar nga të drejtat politike në Evropën bashkëkohore”. Staoroviq, siç shkruajnë mediat serbe, teksa komentoi për rrënimet pa leje në Kosovë, e…
Lajme
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit serb për Integrimin Evropian, Nemanja Staroviq, i cili e ka cilësuar komunitetin serb në Kosovë si “grupin etnik më të privuar nga të drejtat politike në Evropën bashkëkohore”.
Staoroviq, siç shkruajnë mediat serbe, teksa komentoi për rrënimet pa leje në Kosovë, e akuzoi rrejshëm Policinë e Kosovës për “zbatim selektiv të sundimit të ligjit” dhe tha se serbët në Kosovë janë “grupi etnik më i privuar nga të drejtat në Evropën bashkëkohore”.
Ndërkohë Zulfaj ka theksuar se komuniteti serb në Kosovë gëzon një sërë të drejtash të garantuara me Kushtetutë, përfshirë ulëse të rezervuara në Kuvend, përfaqësim në Qeveri dhe sistemin gjyqësor, si dhe mekanizma të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të tij.
“Grupi etnik më i privuar nga të drejtat politike në Evropën bashkëkohore”, ka shkruar Zulfaj në X duke iu referuar deklaratës së ministrit serb, për të shtuar se bëhet fjalë për një komunitet që ka “10 ulëse të rezervuara në parlament, një ministër të garantuar, gjyqtarë të rezervuar në tri organet më të larta gjyqësore, kanalin e vet televiziv shtetëror, të drejtën për universitetin e vet publik dhe veto ndaj çdo ligji apo ndryshimi kushtetues që prek të drejtat e tij”, transmeton KosovaPress.
Sipas Zulfajt, të gjitha këto të drejta janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës.
Ai më pas ka kthyer vëmendjen te gjendja e shqiptarëve në Serbi, duke theksuar se atyre u çaktivizohen administrativisht adresat e banimit, çka, sipas tij, ndikon edhe në dokumentet personale, shërbimet shëndetësore, arsimin dhe të drejtën e votës.
“Vetë Komiteti i Helsinkit në Serbi e quan këtë ‘spastrim etnik përmes mjeteve administrative’. Raporti i Komisionit Evropian për Serbinë për vitin 2025 e evidenton të njëjtën praktikë. Ky është privim nga të drejtat”, ka shkruar ai.
Zulfaj e ka akuzuar Serbinë për përdorim të narrativave propagandistike dhe ka thënë se kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së informacionit.
“Por kjo nuk ndodh sepse Nemanja dhe Nemanajat në Serbi nuk e dinë. Ndodh sepse nuk u intereson”, ka shkruar Zulfaj.
Në fund, ai ka bërë thirrje për kundërshtimin e propagandës ruse dhe të asaj që i cilëson si përfaqësues të saj në Evropë.
“‘Manuali’ rus nuk kërkon as të vërtetën, as faktet. Por ky është misioni ynë si evropianë: të çmontojmë propagandën ruse dhe të gjithë përfaqësuesit e saj, kudo që i gjejmë”, ka përfunduar Zulfaj.