ZRRE: Pranuam shumë komente- qytetarët kanë treguar se ngritja e çmimit të rrymës do u ndikoj direkt në ekonominë familjare

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës është duke mbajtur sot mbledhjen e radhës ku po bëhen të ditura detajet në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Zyrtari i ZRRE-së ka deklaruar se kanë zhvilluar takime me të gjitha palët e interesit si dhe kanë pranuar komente të ndryshme nga qytetarët…

Lajme

11/04/2025 10:42

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës është duke mbajtur sot mbledhjen e radhës ku po bëhen të ditura detajet në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Zyrtari i ZRRE-së ka deklaruar se kanë zhvilluar takime me të gjitha palët e interesit si dhe kanë pranuar komente të ndryshme nga qytetarët , e nga institucione të ndryshme në lidhje me kundërshtimin për ngritje të çmimit të rrymës.

“Me të pranuar komentet dhe me të përfunduar konsultimi publik, ZRRE ka zhvilluar takime bilaterale me të gjitha palët e interesit dhe këto takime janë bërë me odat ekonomike dhe me anëtarësinë e tyre, me shoqërinë civile, me zyrën e presidentes, me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, me Avokatin e Popullit dhe me takimin me media.ZRRE ka kërkuar të ketë takim me grupin e iniciativës “Asnjë cent më shumë”, por s’kemi marrë asnjë përgjigje për takim.Në të gjitha takimet janë zhvilluar diskutime ku janë folur me sqarime të detajuar dhe duke diskutuar me secilën palë të interesit”.

Sipas ZRRE-së, raporti bashkë me komente dhe përgjigjen përkatëse është dërguar në Bord, të cilin tashmë e kanë para vetes.

“Të gjitha komentet janë diskutuar me angazhim maksimal.Qytetarët kanë shprehur kundërshtim në lidhje me këtë proces duke theksuar se ndikimet janë direkt në familjet e tyre si shkak i vështirësive ekonomike”.

Kjo është mbledhja e tretë për këtë vit, në të cilën në rend dite është shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OST/OT, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OSSH, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për FSHU dhe shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve./Lajmi.net/