ZRrE: Marrëveshja me “Elektro Sever” ka ngecur te kontrata me KEDS-in

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu bëri të ditur se kanë përfunduar të gjitha obligimet sa i përket marrëveshjes me “Elektro Severi” për faturimin e rrymës në veri të vendit, por shtoi se procesi ka ngecur te pika që ka të bëjë me nënshkrimin e kontratës komerciale me KEDS-in.…

Lajme

02/05/2023 17:37

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu bëri të ditur se kanë përfunduar të gjitha obligimet sa i përket marrëveshjes me “Elektro Severi” për faturimin e rrymës në veri të vendit, por shtoi se procesi ka ngecur te pika që ka të bëjë me nënshkrimin e kontratës komerciale me KEDS-in.

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Fejzullahu ka thënë se sa i përket Udhërrëfyesit për energjinë, obligimet në raport me KOSTT-in janë të përmbushura përafërsisht.

Fejzullahu para Komisionit ka folur edhe për ndërprerjet e shpeshta të rrymës nga KEDS-KESCO dhe shtrenjtimin e energjisë elektrike mbi 15 për qind.

“Ne kemi kryer obligimet tona sa i përket licencimit të “Elektro Server”, mirëpo ka mbetur pjesa e papërfunduar në raport me KOSTT-in dhe KEDS-in. Përafërsisht obligimet në raport me KOSTT-in janë të përmbushura, ndërsa obligimet në raport me KEDS-in, problematika është nënshkrimi i kontratës komerciale, siç është paraparë për disa nga aktivitetet e OSHEE-së që janë të përmendura edhe në marrëveshjen e 2013-të edhe në konkluzat e 2015-ës e po ashtu edhe në këtë udhërrëfyesin që është nënshkruar në vitin 2022. Prandaj, obligimet që kanë të bëjnë këtë rast me “Elektro Server” kryesisht nuk janë të mbushura, dhe procesi ka ngecur te pika që ka të bëjë me nënshkrimin e kontratës komerciale në mes të KEDS-it dhe “Elektro Server””, tha Fejzullahu.

Në mbledhjen e sotme, anëtari i komisionit, Driton Hyseni ka kërkuar sqarime nga drejtues të ZRrE-së për rastet e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, ku me ç’rast tha se nuk ka pasur masa ndëshkimore ndaj KEDS-KESCO.

“Në bazë të raportit del se vetëm në periudhën nëntor, dhjetor, 2021 në vend kemi mbi 21 mijë raste të ndërprerjes të energjisë elektrike, një pjesë e planifikuar dhe një pjesë e paplanifikuar. Si ZRrE, pas evidentimit të shumë shkeljeve në drejtim të ndërprerjes së energjisë elektrike për shumë prej konsumatorëve në vend i keni ndarë në bazë të distrikteve, ku prin Prishtina. Shoh edhe se shumë ka ndërprerje në komunën e Podujevës. Dhe si ZRrE, pas evidentimit të rasteve për ndërprerjen e energjisë elektrike, ju nuk keni ndërmarrë ndonjë veprim ndëshkimor ndaj operatorit, por keni kërkuar vetëm një plan veprimi nga ana e operatorit me qëllim që ata ta përmirësojnë gjendjen në terren. Më shqetëson fakti se shoh ende shumë njoftime që ka ndërprerje të energjisë elektrike, dhe më intereson sa e kanë përmirësuar gjendjen në terren. Dhe nëse vazhdohet me të njëjtin ritëm të ndërprerjeve, a konsideroni se duhet marrë ndonjë masë ndëshkimore ndaj operatorit”, tha Hyseni.

Lidhur me këtë Fejzullahu tha se shumica e ndërprerjeve të energjisë elektrike tash e tutje ndodhin për shkak të rregullimeve që bëhen në rrjet nga investimet.

“Shumica e ndërprerjeve janë për shkak të kryerjes së investimeve nga OSSHS-së . Nga ato zona ku ka investime pak më shumë, ku gjendja është e keqe dhe ka nevojë për investime, do të ketë ndërprerje me të shpeshta. Podujeva ka pas disa investime ku nuk është ende në gjendjen që dëshirojmë. Sa i përket reduktimeve që kanë ndodhur për shkak se kemi pasur edhe rënie të gjeneratorëve, por të njëjtën kohë edhe mos blerje të energjisë, në mënyrë indirekte ka marrë penalizmin në këtë rast edhe KEDS-i dhe KESCO, për shkak se në periudhën e kaluar tarifore rreth 4 milionë euro energji që është tërheq nga ana e sistemit nuk është ngarkuar konsumatorëve edhe për shkak të mos pagesës…Duhet pasur parasysh se në OSSH nuk ka pasur investime prej periudhës 1999 deri në 2010, investime kapitale nuk ka pas, përveç mirëmbajtjes. Tash, nevoja për investime është shumë e madhe, andaj duhet pasur mirëkuptimin”, tha Fejzullahu.

Në pyetjen e adresuar nga deputeti Armend Muja në raport për monitorimin të KEDS-it, Fejzullahu ka thënë se është shqiptuar gjoba në vlerë 11 milionë euro nga ZRrE-ja në lidhje me mos përmbushjen e detyrimeve, për KESCO-n dhe KEDS-in.

Fejzullahu: Është shqyrtuar gjobë për mospë rmbushjen e detyrimeve në vlerë 11 milionë euro për KESCO-n dhe KEDS-in

“Në bazë të raportit të monitorimit është shqyrtuar edhe një penallti për shkak të mos kryerjes së obligimeve nga ana e KEDS-it dhe KESCO-s. Totali i gjobës që është shqyrtuar nga ZRrE për mos përmbushjen e detyrimeve sipas licencës është 11 milionë euro, 8.5 milion për KESCO-n, ndërsa pjesa tjetër është për KEDS-in…32:17 Po ashtu, përafërsisht investimet në OSSH edhe në periudhën e parë rregullative kanë qenë rreth 113 milionë euro, edhe në periudhën e dytë mbi 100 milionë euro, pra ato lejime të cilat rregullatori i ka lejuar në periudhe pesëvjeçare. Çdo diferencë mes investimeve të lejuara dhe atyre të realizuara, ato mund t’i kthejnë konsumatorit duke përfshirë edhe normën e interesit që është e paracaktuar”, tha Fejzullahu.

Kryesusi i Bordit të ZRrE-së, ka folur edhe për importin e energjisë elektrike, ku tha se këtë vit kanë importuar sasi shumë të vogël të energjisë.

“Këtë vit kemi importuar sasi shumë të vogël të energjisë elektrike, ku të njëjtën kohë edhe përmes shkëmbimeve që kemi pas në këtë rast KEK-u me KESH-in nga Shqipëria ka ndihmuar që të kemi shumë më pak sasi të energjisë të importuar”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti, Pal Lekaj, ka pyetur për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, ku për këtë, Fejzullahu tha se tek konsumatorët komercial ka qenë zero rritja për energji elektrike, dhe se atë e ka subvencionuar edhe qeveria.

“Sa i përket konsumatorëve komercial shihet se ka një rritje, por asnjë cent nuk ka pas rritje, komplet diferenca është mbuluar nga subvencionimi i qeverisë, por, sërish realizimi ka ndodhur se kanë shpenzuar më shumë. Çmimi ka mbetur i njëjtë, ata mund të realizojnë kosto më të lartë. Andaj, edhe tek konsumatorët komercial ka qenë rritja zero dhe prapë kemi kompozitet. Ka pas rritje të 100 për qind që ne jemi për t’i informuar qytetarët dhe jo për t’i dezinformuar, për shkak se duhet të kemi parasysh se secila fjalë prej neve i fut edhe në pasiguri investitorët”, tha Fejzullahu.

Gjatë raportimit, kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala ka pyetur se kur do të jetë i gatshëm raporti i monitoruar i KEK-ut nga ZRrR për vitin 2022.

Lidhur me këtë, Fejzullahu tha se janë në proces të monitorimit dhe se do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme te bordit.

Mes tjerash ZRrE bëri të ditur se raporti për realizmin e investimeve do të bëhet në baza vjetore dhe jo në periudhë pesëvjeçare.