ZRRE licencon kompani të reja në tregun e hapur të energjisë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka miratuar aplikimet për licencim të aktivitetit të furnizimit me energji elektrike për kompanitë “Swiss Solar Park” dhe “Solar Neo”, ndërsa i dha “dritë jeshile” për tregti me energji elektrike kompanisë “Alfa Company”. Licencimi i këtyre kompanive për furnizim dhe tregti me energji elektrike u tha se po bëhet…
Lajme
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka miratuar aplikimet për licencim të aktivitetit të furnizimit me energji elektrike për kompanitë “Swiss Solar Park” dhe “Solar Neo”, ndërsa i dha “dritë jeshile” për tregti me energji elektrike kompanisë “Alfa Company”.
Licencimi i këtyre kompanive për furnizim dhe tregti me energji elektrike u tha se po bëhet për shkak të liberalizimit të tregut të energjisë.
ZRrE në mbledhjen e sotme vendosi për rihapje të procedurës së tenderimit për zgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit (FMF).
Përfaqësuesi ligjor i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymridin Misni, tha se aplikimet për licencim të furnizimit me energji elektrike dhe tregti me energji janë në përputhje me ligjet në fuqi.
“Aplikuesi i ka paraqitur të gjitha dëshmitë që kërkohen për marrjen e licencës për furnizim me energji elektrike. Dosjet dhe materialet i gjeni në dosjen e bordit. Gjithashtu vlen të theksohet se është bërë pagesa edhe në shumën 2 mijë euro, sipas rregullës për taksa… T’i lëshohet licenca për furnizim me energji elektrike për periudhën pesëvjeçare”, tha ai.
Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se për shkak të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, ka një numër të madh të kërkesave për licencim dhe furnizim, por edhe për tregti me energji elektrike.
“Për shkak të liberalizimit të tregut kemi një numër të madh të kërkesave për licencim dhe furnizim, por në të njëjtën kohë edhe për tregtim me shumicë. Aq më tepër, tash kemi edhe kërkesa për ndërtim të gjeneratorëve që si synim kanë tregun pa ndonjë mbështetje nga institucionet e Kosovës. Pra, energjia elektrike po futet në tregun e Kosovës. Është një shtytje për investime në sektorin e energjisë ose kapacitete të reja, meqenëse ata shohin një interes kur kemi një numër të konsumatorëve që janë në treg dhe të njëjtit e shohin si potencial që këtë energji t’ua delegojnë këtyre konsumatorëve”, tha ai.
ZRrE miratoi dhjetëra kërkesa të personave fizikë dhe juridikë për marrje të autorizimit për të prodhuar energji elektrike për vetëkonsum.
Po ashtu, u shqyrtua bilanci vjetor i energjisë elektrike për vitin 2025, por të njëjtit nuk dhanë shifra dhe shuma konkrete.
Ndërsa pika për shqyrtimin e planit investiv njëvjeçar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) u shty për mbledhjen e radhës, për shkak të vërejtjeve të adresuara.