ZRRE: KESCO ka shkelur licencën

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) thotë se Kompania Kosovare për Furnizimin me Energji (KESCO) është e licencuar që të furnizojë me energji elektrike të gjithë konsumatorët e saj. Ndërkaq, plani i reduktimeve ‘ABC’, sipas Rregullatorit, aplikohet vetëm në raste emergjente.

Lajme

09/04/2015 08:33

Kompania Kosovare për Furnizimin me Energji (KESCO) nuk i ka përmbushur obligimet që dalin nga licenca që ka për furnizimin me energji elektrike gjatë ditëve të fundit kur janë aplikuar reduktime sipas orarit 4 me 2 në favor të territ.

Reduktimet e ashpra të energjisë elektrike nuk mund të arsyetohen me rritjen e konsumit për shkak të rënies së temperaturave. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) thotë se KESCO e ka për obligim furnizimin pandërprerë me energji elektrike për konsumatorët e vet.

“KESCO si i licencuar për furnizim të energjisë elektrike është i obliguar të furnizojë konsumatorët pandërprerë me energji elektrike”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhënë Kohës Ditore.

Rregullatori numëron rastet kur KESCO-s i lejohet të aplikojë reduktimet energjisë elektrike, në të cilin nuk është rritja e konsumit për shkak të rënies së temperaturave.

“Përveç rasteve kur ka prishje tenike, mungesë të energjisë për shkak të mosoperimit të gjeneratorëve apo në raste kur i licencuari nuk ka likuiditet financiar për të mbuluar kostot shtesë të importit, derisa ‘Hyrat Maksimale të Lejuara (MAR)’ me shqyrtim tarifor nuk e mbulojnë një kosto të tillë”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Sipas Rregullatorit, KESCO ka të drejtë të importojë energji elektrike për të mbuluar kërkesat e konsumatorëve. Sipas tyre, plani ABC i reduktimeve, mund të hyjë në funksion vetëm në rastet emergjente.

“Plani ABC mund të hyjë në funksion vetëm në rastet kur kemi rënie të blloqeve dhe është e pamundur të sigurohet energji në tregjet ndërkombëtare për shkak të kapaciteteve të kufizuara të bartjes së energjisë për shkaqe të tjera. Në këto raste mund të hyjë në funksion plani ABC në bazë të kritereve të paracaktuara dhe zgjat as sa zgjat dhe situata emergjente e krijuar deri në krijimin e kushteve për importin shtresë”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.