ZRrE-ja hedh poshtë pretendimet se rryma s’do të shtrenjtohet: Rishqyrtimi i tarifave për KOSTT, KEDS- KESCO është në proces
Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë të ditur se informacionet e djeshme për mos-shtrenjtim të tarifave të energjisë-elektrike nuk kanë të bëjnë me shtrenjtimin apo jo të tarifave të përgjithshme të gjithë konsumatorëve, por lidhen vetëm me tarifat e bursës ndërkombëtare të rrymës e ku Kosova dhe bizneset bëjnë shit-blerje. Këtë sqarim ZRRE-ja e…
Lajme
Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë të ditur se informacionet e djeshme për mos-shtrenjtim të tarifave të energjisë-elektrike nuk kanë të bëjnë me shtrenjtimin apo jo të tarifave të përgjithshme të gjithë konsumatorëve, por lidhen vetëm me tarifat e bursës ndërkombëtare të rrymës e ku Kosova dhe bizneset bëjnë shit-blerje.
Këtë sqarim ZRRE-ja e bëri në përgjigjet e dhëna për lajmi.net.
ZRrE qartësoi se vendimi nga seanca e djeshme e Bordit lidhet me kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave për Operatorin e Nominuar të Energjisë Elektrike (ALPEX) dhe konfirmimin e tarifave për vitin 2026, të cilat do të mbeten të pandryshuara krahasuar me periudhën paraprake.
“Ky vendim nuk ka të bëjë me tarifat për operatorët e tjerë të energjisë, si KOSTT, KEDS dhe KESCO, të cilat janë ende subjekt i një procesi të rishikimit dhe vlerësimit të aplikacioneve për të hyrat e lejuara maksimale”,theksohet tutje.
Sipas ZRrE-së, rishqyrtimi i tarifave për operatorët e licencuar (KOSTT, KEDS dhe KESCO) është në proces dhe do të zhvillohet pas përfundimit të vlerësimit të aplikacioneve të dorëzuara nga këta operatorë.
Sipas tyre ky proces është i bazuar në analizat teknike dhe financiare nga ekspertët e ZRRE-së dhe do të marrë parasysh kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi.
“Çdo ndryshim i mundshëm në tarifat për vitin 2026 do të vendoset vetëm pas përfundimit të këtij procesi, pas konsultimeve publike dhe pas miratimit të vendimit përfundimtar. Aktualisht, ZRRE nuk ka miratuar ende asnjë vendim lidhur me ndryshimin e tarifave për operatorët e energjisë elektrike”.
ZRrE gjithashtu deklaroi se vlerësimi dhe analizat janë ende në proces, dhe çdo informacion për rritje të mundshme të tarifave do të bëhet i ditur pas përfundimit të vlerësimit teknik dhe publikimit të raportit përfundimtar.
Ndryshe shtrenjtimi i energjisë-elektrike më saktësisht faturave mujore të qytetarëve pritet të shkojë në 21 për qind.
Ditë më parë operatori KESCO deklaruan se kanë dorëzuar aplikimin tarifor, siç thonë në përputhje me kalendarin rregullator dhe me metodologjinë e miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
“Në këtë fazë, aplikimi nuk përfaqëson një rezultat përfundimtar tarifor, por një kërkesë për njohjen e kostove të arsyetuara dhe të dokumentuara, të domosdoshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë për konsumatorët. Si furnizues, kostot tona janë në masë të madhe reflektim i kostove që krijohen përgjatë gjithë sektorit elektroenergjetik, përfshirë prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, kushtet e tregut dhe obligimet rregullatorë”,thuhet në përgjigjen e dhënë për lajmin nga Zyra për Informim e KESCO-s.
Po ashtu sipas tyre është e rëndësishme të theksohet se procesi i shqyrtimit tarifor është gjithëpërfshirës dhe përfshin vlerësimin e aplikimeve të dorëzuara nga të gjithë të licencuarit në sektor.
Por nga KESCO nuk kanë konfirmuar shifrën, apo përqindjen që kanë kërkuar në këtë rast.
“Meqenëse këto aplikime janë ende në proces shqyrtimi dhe nuk janë konsoliduar nga rregullatori, është herët të komentohet mbi ndonjë shifër konkrete apo mbi nivelin e mundshëm të ndryshimeve tarifore”, u theksua tutje.
KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.8 milionë euro.
Vitin e kaluar, KESCO kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja kishte aprovuar rreth 436 milionë euro.
Si arsye për rritjen e kërkuar nga KESCO përmenden shpenzimet operative, kostoja e importit të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit gjatë sezonit dimëror, si dhe rritja e pagave të punëtorëve.
Gjithashtu nga KESCO thanë se “bazuar në vlerësimet preliminare dhe në të dhënat aktualisht të disponueshme, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është paraqitur në vlerë të përgjithshme prej rreth 528.8 milionë euro. Kjo shumë përfshin edhe rreth 49.5 milionë euro që lidhen me tejkalime të kostove të shkaktuara gjatë vitit 2025, të cilat janë rezultat i kushteve të tregut dhe faktorëve jashtë kontrollit të furnizuesit”.
“Është e rëndësishme të theksohet se kjo vlerë përfaqëson një kërkesë për njohje të kostove dhe jo një vendim përfundimtar tarifor, ndërsa çdo vlerësim dhe miratim përfundimtar do të bëhet nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në kuadër të procesit rregullator dhe konsultimit publik. Dhe vetëm pas vendimit përfundimtar nga Rregullatori për kostot e arsyeshme vazhdon procesi për reflektim tarifor”.
Kurse KESCO dhe KEDS në arsyetimet e tyre mbi aplikimet për të hyrat e lejuara maksimale kanë përmendur rritjen e pagës minimale./Lajmi.net/


