ZRRE-ja e “humb” kontrollin – U paralajmërua rritje çmimi prej 15%, njëherë thanë rreth 16- tani thonë 16.1%

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka njoftuar sot zyrtarisht se është marrë vendimi për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike. ZRRE ani pse nuk dha detaje në mbledhje, përmes një komunikate për media tashmë ka konfirmuar se energjia-elektrike është rritur në çmim për 16%. Shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike për 15% ishte…

Lajme

11/04/2025 15:46

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka njoftuar sot zyrtarisht se është marrë vendimi për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

ZRRE ani pse nuk dha detaje në mbledhje, përmes një komunikate për media tashmë ka konfirmuar se energjia-elektrike është rritur në çmim për 16%.

Shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike për 15% ishte paralajmëruar të hynte në fuqi nga 1 prilli, por kjo ende nuk ndodhi pasi ZRrE sot dha vendimin final për rritje.

Por, rritja nuk ishte prej 15% siç ishte raportuar një javë më herët, por shkon në 16 për qind, madje diku tjetër ZRrE thotë se rritja u bë prej 16.1%.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë mbetet e papërcaktuar, pasi nga paralajmërimi për rritje prej 15%, doli në 16% e pastaj edhe në 16.1%.

Në njoftimin e zyrtar në ‘Facebook’, ZRrE shkruan se “në bazë të raporteve të publikuara rritja në mesatare për të gjitha kategoritë e konsumatorëve do të jetë 16%”.

Ndërkaq, në emailin dërguar mediave, ZRrE paraqet një përqindje tjetër – “Rritja mesatare për të gjithë kategoritë e konsumatorëve do të jetë 16.1 për qind.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu, deklaroi 11 ditë më herët se vendimi përfundimtar për rritjen e energjisë do të merrej sot dhe se vendimi hyn në fuqi nga data 1 maj.

“Jo, ende nuk është marrë vendimi. Në fuqi mbesin tarifat ekzistuese. Vendimi pritet të merret më 11 prill. Varësisht se si vendos bordi, tarifat mund të hyjnë në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli ose nga 1 maji, kur është edhe periudha e faturimit, pasi nuk ka kuptim që kjo të ndodhë në mes të muajit”, ka thënë Fejzullahu.

Ky vendim dhe kjo mbledhje, u përcoll me ‘zënka’ të shumta mes gazetarëve dhe zyrtareve të ZRrE dhe u mbyll me një protestë paqësore nga qytetarë të shumët që mbanin në duar pankarta kundër shtrenjtimit të energjisë./Lajmi.net/