ZPS për dëshmitarin Çardaku: Do të flas për takimet me Thaçin dhe Veselin, vijat e raportimit dhe për çështje që lidhen me ZKZ-në

Përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace gjatë leximit të përmbledhjes për dëshmitarin, ai tha se Çadraku do të flas për takimet që ka pasur me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin e po ashtu do të flas për vijat e raportimit dhe çështjet që lidhen me sektorin e Zbuim-Kundëzbulimit. James Pace tha se edhe vetë dëshmitari…

Lajme

25/11/2024 12:24

Përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace gjatë leximit të përmbledhjes për dëshmitarin, ai tha se Çadraku do të flas për takimet që ka pasur me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin e po ashtu do të flas për vijat e raportimit dhe çështjet që lidhen me sektorin e Zbuim-Kundëzbulimit.

James Pace tha se edhe vetë dëshmitari ishte pjesë e G2-shit në Zonën Operative të Pashtrikut që nga janari i vitit 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 03873 është shqiptar i Kosovës që ka qenë anëtarë i LPK-së. Është kyçur në UÇK rreth marsit 1998. Gjatë kohës në UÇK, dëshmitari 03873 ka pasur pozita të ndryshme në vende të ndryshme dhe ka qenë kreu i G2-shit në Zonën Operative të Pashtrikut që nga janari i 99-ës. Dëshmitari 03873 jep dëshmi për LPK-në, krijimin e UÇK-së, rolin dhe përgjegjësitë që ka pas ai në UÇK duke përfshirë faktin që ka siguruar armatime dhe ka marrë pjesë në luftimet e UÇK-së. Dëshmitari 03873 jep po ashtu dëshmi lidhur me strukturën dhe organizimit të UÇK-së, rolin dhe autoritetin që kanë pas anëtarët e UÇK-së në mes të cilëve edhe anëtarët e Zonës Operative të Pashtrikut me anëtarët e shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, tha Pace.

Pace gjithashtu tha se Çadraku ka shoqëruar Thaçin, Veselin dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së drejtë Shqipërisë.

“Dëshmitari 03873 jep dëshmi për takimet që ka pasur me Hashim Thaçin e Kadri Veselin në 98-ën dhe 99-ën kur dëshmitari 03873 ka shoqëruar Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së drejt Shqipërisë. Në 99-ën dëshmitari 03873 është takuar me Kadri Veselin në Nishor dhe prill të 99-ës, Kadri Veseli i ka kërkuar këtij dëshmitari që të vizitonte të gjitha pikat mbrojtëse rreth Shtabit të UÇK-së gjatë luftimeve në Kleçkë”, tha ai.

Ai tha se dëshmitari do të jep dëshmi edhe për mënyrën se si mbaheshin shënimet dhe dijenin që ka ai për dokumentet e UÇK-së.

“Dëshmitari 03873 jep dëshmi për njohuritë që ka sa i takon mënyrës së raportimit, vijave të raportimit mes brigadave, Zonave Operative dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, sa i takon çështjeve që lidhen me Zbulimin dhe Kundërzbulimin. Dëshmitari 03873 jep dëshmi për mënyrën se si mbaheshin shënimet dhe dijenin që ka ai për dokumentet e UÇK-së, përfshirë këtu edhe disa dokumente që ai i ka përpiluar vetë”, tha ai.

Për Bardhyl Mahmutin, dëshmitari tha se e njeh pasi kanë qëndruar bashkë në Zvicër e po ashtu e njeh edhe si anëtar të LPK-së përveç si shok.

Ndonëse ishte lëvizje, dëshmitari tha se LPK-ja u shndërrua më vonë në parti e që brenda anëtarësisë kishte edhe kundërshtime.

Sipas tij, partia e parë që u formua ishte Partia e Bashkimit Demokratik të Kosovës (PBDK) për të cilën tha se nuk ia din emrin me siguri për shkak se vetëm tre muj ka zgjatë.

Ai tha se kur u krijua PBDK-ja, kryetar i saj ishte Bardhyl Mahmuti. Cadraku shtoi se PBDK-ja më vonë e mori emërtimin PDK.

“Subjekti PBDK, pas një kohë e mori emërtimin PDK. Edhe me vjen keq ndoshta sepse unë në atë kohë kam qenë strukturë e unifomuar, jam marrë më pak me politikë. Mirëpo, këto janë ato që kam pa si njeri. Nuk kam qenë pjesë direkte e formimit të partive politike, por normalisht që na ka interesu fati ynë dhe po flas unë për njohuritë e mija, ato që unë i di për këtë subjekt dhe këto ndodhi”, tha ai.

Për Xhavit Halitin dëshmitari tha se e njeh tërë Kosova por edhe në kohën e luftës thotë se e ka njohur për shkak të veprimtarisë së përbashkët në Zvicër.

Edhe për Ali Ahmetin, dëshmitari tha se është njëri nga njerëzit më të spikatur dhe punëtor që kanë ndihmuar shumë edhe në LPK-ën por edhe në formimin e grupeve çlirimtare që kanë rezoltu me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.