Zotimet e papërmbushura të Shpend Ahmetit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahemti nuk do të mund t’i realizojë të gjitha premtimet që i ka bërë në kohën e fushatës të vitit 2013.

Lajme

07/06/2017 10:09

Disa nga premtimet që Ahmeti i ka dhënë as që kanë nisur të realizohen. Ndërkohë, autoritet komunale të kabinetit të Ahmetit para pak ditëve kanë thënë në debatet televizive se vetëm një premtim u ka mbetur pa përmbushur nga 12 zotimet që Ahmeti i ka bërë.

Edhe kryetari Ahmeti këmbëngul nëpër debate televizive duke thënë se i ka përmbushur thuajse të gjitha zotimet e dhëna. “Janë 12 zotime që i kam dhënë, dhe u kam thënë qytetarëve t’i mbajnë në kuletë. Tashme janë përmbushur thuajse të gjitha”, thotë Ahmeti sa herë t’i jepet mundësia të shpërfaqë punën e tij si kryetar.

Lajmi.net ka gjetur disa nga premtimet që Ahmeti i ka dhënë në vitin 2013 gjatë zgjedhjeve e të cilat nuk i ka përmbushur fare.

Disa nga ato premtime janë marrur edhe nga Instituti “Gap”.

Një ndër premtimet ishte edhe se “Familjet nën asistencën sociale do të lirohen për pagesën e ujit deri në 18 mijë litra gjatë muajit. Lirime do të këtë edhe për pagesën e mbeturinave”. Ky premtim i Ahmetit nuk ka lëvizur as një për qind, prej ditës që e ka dhënë.

“Do ta shes veturën “Audi Q7” e cila është pronë e komunës se Prishtinës”. Ky premtim akoma nuk është realizuar, pasi që vetura nuk është shitur, ndërkohë që ajo aktualisht ndodhët në ankand publik.

“Në të gjitha ndërtesat do të vendosen shkallet për dalje emergjente”. Po ashtu, ky premtim nuk është përmbushur.

“Përzgjedhja e stafit gjatë pranimit në punë në komunë do të bëhet në bazë të kodit dhe jo emrit. Asnjë person nuk do të punësohet në shërbimin civil në bazë të preferencave personale apo partiake”. Ky premtim nuk është mbajtur nga kabineti i Shpend Ahmetit, pasi që shumë persona janë punësuar mbi preferencën partiake.

Lajmi.net kishte gjetur se, Hajzer Idrizi ka qenë kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Klinës në zgjedhjet e vitit 2013. Me fitoren e Shpend Ahmetit, ai ishte punësuar në Komunën e Prishtinës, në pozitën shef i sektorit të arsimit në Drejtorinë e Arsimit. Në vitin 2014, Kushtrim Domaneku ishte punësuar si  “Zyrtar i gjeodezisë në drejtorinë e Urbanizmit”. Paraprakisht ka qenë shok i ngushtë me drejtorin Liburn Aliu. Ndërkaq, Bujar Abazi, i cili ishte angazhua në fushatën e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte emëruar inspektor i komunikacionit në Komunën e Prishtinës. Pjesëtar të Vetëvendosjes janë punësuar edhe në drejtorinë e Inspektoratit. Madje së fundmi, Kryeshefi Ekzutiv, Drejtori i Bordit dhe një shërbyese civile nga “Ndërmarrjes Publike Banesore” janë kandidatë për deputet në zgjedhjet e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit.

Premtim tjetër ishte “Depolitizim i sistemit arsimor duke përzgjedhur drejtorët të shkollave me participim të komunitetit”. Edhe këtë premtim Ahmeti e ka shkelur, pasi që Lajmi.net kishte raportuar se Xhevat Rafuna, është emëruar drejtor në shkollën fillore “Afrim Gashi” në Hajvali, ndërkohë që i njëjti është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje pak para se të emërohej drejtor.  Ilmi Reçica, është emëruar drejtor në shkollën “Ahmet Krasniqi”. Në zgjedhjet e Lëvizjes Vetëvendosje – dega në Prishtinë, të cilat janë mbajtur para pak javësh, Reçica është emëruar anëtar i kryesisë së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.  Adrianë Makolli- Sadiku, është emëruar drejtoresh në SHFMU “Nazim Gafurri” në Prishtinë. Lajmi.net ka gjetur që bashkëshorti i saj, Agron Sadiku është militant i Lëvizjes Vetëvendosje.

Premtim tjetër ishte  “Lirimi i trotuareve nga veturat”. Sa do që ka pasur lëvizje në këtë planë, shumica e trotuareve në kryeqytet janë të zënë nga veturat.

“Çerdhe në çdo zonë të kryeqytetit”. Edhe pse janë hapur disa çerdhe të ashtuquajtura me bazë në komunitet, ende shumë lagje të Prishtinës nuk kanë çerdhe publike.

Premtimi, “Themelimi i kompanisë ‘Prishtina Parking” ende ka mbetur i pa zbatuar në terren, sado që kompania është themeluar. Komuna në vitin 2014 ka marr vendim në Kuvend për themelimin e kompanisë dhe janë ndarë 80 mijë euro. Ende nuk është  hartuar statuti i kompanisë, përzgjedhja e stafit . Qeveria e Kosovës në mars të vitit 2016 ka aprovuar kërkesën Komunës së Prishtinës për themelimin e ndërmarrjes Prishtina Parking. Nga ajo kohë komuna nuk ka ndërmarr ndonjë hap tjetër në funksionalizimin e kësaj ndërmarrje. Madje, në planin e buxhetit ët vitit 2016, komuna kishte paraparë 2 milion euro të hyra nga kjo kompani.

“Çdo shkollë do të ketë ambulancën ose dhomën e ndihmës së parë”.  Komuna akoma nuk ka hapur ambulanca apo dhoma të ndihmës se parë nëpër shkolla. Dhe po ashtu ishte premtuar se “Në çdo shkollë me më shumë se 800 nxënës do të punësohet mjeku ose infermieri”. Po ashtu, premtim i parealizuar është edhe “Shkollat me më shumë se 1000 nxënës do të kenë ambulancë stomatologjike”.

“Transport publik efikas”. As ky premtim nuk është përmbushur ende, sa do që janë blerë disa autobusë të rinj. Sot, akoma disa lagje nuk janë të mbuluara me Transport publik, ndërkohë Transporti publike për në lagjen “Prishtina e re” dhe Hajvali lëviz vetën çdo gjysmë ore.

“Arti dhe kultura te qytetari”. Kështu ishte titulluar programi i Ahmetit për këto kategori. Para kamerave Ahmeti kishte thënë se se, “Programi i artit dhe kulturës përbën pjesë të rëndësishme të programit për Prishtinën, edhe për shkak të gjendjes së mjerueshmen të cilën gjendet arti dhe kultura në kryeqytetin tonë.” Programi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Për artin dhe kulturën në Prishtinë bazohet në Gjashtë shtylla kryesore: 1. Zhvillimi i bibliotekave ekzistuese dhe hapja e bibliotekave të reja, 2. Restaurimi dhe promovimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, historike dhe arkeologjike, 3. Shtrirje e decentralizuar e qendrave multimediale në çdo lagje edhe fshat, 4. Regjistrimi, mbështetja dhe promovimi i artistëve 5. Zhvillimi teatror lokal 6. Zhvillimi kinematografik në nivelin lokal. Asnjë nga këto pika nuk e ka përmbushur, madje në shumicën prej tyre as që ka lëvizur diçka të bëhet. Në këtë pikë, gjatë qeverisjes së Ahmetit Komuna nuk e ka bërë vetëm disa lëvizje të vogla.

Xhamia e Çarshisë” e nisur të restaurohet në 2012 akoma nuk ka përfunduar dhe punimet në të janë ndërprerë. Ka nisur të restaurohet Xhamia në afërsi të Muzeut Kombëtar në bashkëpunim me Qeverinë e Turqisë. Një nga objektet e këtij lloji “Hamami i vjetër” vazhdon të mbetët në gjendje të keqe. Nuk ka pasur lëvizje as në restaurimin dhe promovimin e objekteve tjera kulturore e historike dhe arkeologjike.

“Do ta themelojmë drejtorinë e ujërave”. Kjo drejtori nuk është themeluar.

“Do të hapim zyrë efiçente në kryeqytet”. Kishte premtuar Ahmeti. Kishte thënë se “Kjo zyrë do të merret me disa çështje të rëndësishme për ruajtjen dhe kursimin e energjisë elektrike në komunën tonë. Programi që Komuna do ta ketë  do t’i ndihmojë lagjeve të ndryshme që të kursejnë energjinë elektrike, që të shpenzojmë sa më pak energji elektrike, duke e ditë rëndësinë e këtij resursi”. Por, as në këtë pikë nuk ka pasur lëvizje.

Megjithëkëtë, këto nuk janë të gjitha premtimet që ende nuk janë realizuar nga kryetari Ahmeti.

Më poshtë mund të shihni edhe disa projekte të parealizuara që gjatë zgjedhjeve ishin shpërfaqur nëpërmjet fotografive ku tregohej gjendja ekzistuese në terren dhe anash tyre propozimi i Ahmetit. Por, asnjëra nga to nuk është realizuar. /Lajmi.net/

 

foto-3

foto