Zogaj: Nuk mbështesim marrëveshje të dytë për stafin serb në veri

Albert Zogaj, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka takuar kryediplomaten evropiane, Kaja Kallas. Ai ka theksuar për RTK-në se zyrtares së BE-së ia ka bërë me dije se gjyqësori ka qëndruar konsistent në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe nuk preferon një marrëveshje të dytë për integrimin e stafit serb në veri, pasi një…

Lajme

08/06/2025 21:43

Albert Zogaj, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka takuar kryediplomaten evropiane, Kaja Kallas. Ai ka theksuar për RTK-në se zyrtares së BE-së ia ka bërë me dije se gjyqësori ka qëndruar konsistent në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe nuk preferon një marrëveshje të dytë për integrimin e stafit serb në veri, pasi një proces i tillë do ta politizonte sistemin e drejtësisë.

 

Janë bërë gati tre vjet nga dorëheqja e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ të komunitetit serb në veri. Kjo çështje është diskutuar së fundmi në një takim që e ka zhvilluar kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, me kryediplomaten evropiane, Kaja Kallas, e cila qëndroi në Kosovë.

Zogaj thotë se ia ka bërë me dije asaj se gjyqësori ka qëndruar konsistent në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe nuk preferon një marrëveshje të dytë për integrimin e stafit serb në veri, pasi një proces i tillë do ta politizonte sistemin e drejtësisë.

“Se a do të shndërrohet çështje që do të diskutohet në Bruksel nuk varet nga ne, por nuk preferojmë të diskutohet sepse konsiderojmë që Kosovës nuk i duhet një marrëveshje e dytë e integrimit, ajo ishte kompromisi më i madh, brenda atij konteksti mund t’i shikojmë mundësitë, përndryshe nëse shndërrohet në nivel diskutimi politik mund të hapen tema që do të ishin të papranueshme për gjyqësorin, sidomos në qoftë se do të bëheshin pjesë e sistemit gjyqësor njerëz të cilët nuk e kalojnë filtrin e zakonshëm, qoftë të edukimit, qoftë të konkurseve të provimit të jurisprudencës që janë si kushte për gjyqtarët,” tha Zogaj.

Ai theksoi se rikthimi i mundshëm i gjyqtarëve dhe stafit serb duhet të ndodhë përmes kërkesës së tyre individuale dhe të vlerësohet brenda sistemit, bazuar në kritere profesionale dhe se nuk duhet të ngrihen diskutime politike për këtë.

Nga ana tjetër, vitin e fundit, sipas statistikave të siguruara, gjykatat në veri dhe degët e saj kanë arritur performancën e punës mbi 120 për qind.

Avokati Mahmut Halimi tregon se janë trajtuar edhe lëndët e vjetra gati 20-vjeçare.

“Deri para një viti e më shumë, situata ka qenë e stërngarkuar, për arsye se, siç e dimë, tërheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë ka reflektuar në përkeqësimin e situatës. Por me emërimin e gjyqtarëve të rinj në departamente dhe për gjykimin e krimeve të rënda, është arritur një konsolidim i lakmueshëm, në veçanti gjatë këtij një viti e më shumë. Kështu që është arritur edhe në lëndët të cilave u është rrezikuar parashkrimi t’i mbajnë dhe një numër shumë i madh i gjyqtarëve është i angazhuar rreth atyre rasteve të lëndëve të cilat datojnë më shumë se 20 vite”, tha avokati Halimi.

Gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga komuniteti serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kishin targa ilegale të lëshuara nga Serbia.