ZKA publikon raportin e ri: Vetëm një rekomandim i zbatuar plotësisht, kërkohet më shumë angazhim nga MAPL dhe komunat
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e përcjelljes së rekomandimeve për auditimin “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”. Përcjellja vlerëson veprimet e ndërmarra nga komunat Gjakovë, Klinë, Viti dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e përcjelljes së rekomandimeve për auditimin “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”. Përcjellja vlerëson veprimet e ndërmarra nga komunat Gjakovë, Klinë, Viti dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), nëse ato janë në përputhje me rekomandimet e dhëna në raportin e auditimit të vitit 2024.
Sipas rezultateve të publikimit, vetëm një rekomandim është zbatuar plotësisht. Tri rekomandime janë në fazën përfundimtare të zbatimit, dy kanë filluar të zbatohen, ndërsa dy të tjera nuk janë adresuar fare. Sipas ZKA-së, pavarësisht përpjekjeve, zbatimi i plotë i rekomandimeve kërkon ende angazhim shtesë nga MAPL dhe komunat Gjakovë, Klinë dhe Viti.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, duke komentuar mbi rezultatet, tha se auditimi i performancës tashmë ka treguar ndikim të qartë në funksionimin e komunave dhe MAPL-së.
“Megjithëse MAPL dhe komunat kanë ende për të bërë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve, auditimi i performancës kishte ndikim të dukshëm në përmirësimin e funksionimit të komunave dhe të MAPL-së. Rekomandimet kanë nxitur ndërgjegjësim më të madh për transparencën, llogaridhënien dhe përdorimin e metodologjisë së njësuar në raportimin e performancës,” deklaroi Spanca.
Raportin e plotë të përcjelljes së rekomandimeve të auditimit “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021” mund ta gjeni në uebfaqen e ZKA-së.