ZKA nxjerr në pah shkelje në tenderin 15.9 milionësh për mirëmbajtjen e autoudhëve në Kosovë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028”, ku theksohet se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte arritur të siguronte që procesi i prokurimit të realizohej plotësisht në përputhje…

Lajme

21/08/2026 14:32

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028”, ku theksohet se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte arritur të siguronte që procesi i prokurimit të realizohej plotësisht në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit, trajtimit të barabartë dhe jodiskriminimit.

Sipas ZKA-së, zktiviteti i prokurimit me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë euro për 36 muaj, ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese, prandaj afati për dorëzimin e ofertave ishte shkurtuar nga 40 në 21 ditë.

“Megjithatë, ky përshpejtim nuk kishte arritur rezultatin e synuar, pasi hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë dhe procedura ishte zgjatur për rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe korrigjimeve në dosjen e tenderit. Për shkak se procedura e hapur nuk ishte përmbyllur para fillimit të sezonit dimëror, Ministria kishte përdorur procedura të negociuara për të siguruar vazhdimësinë e mirëmbajtjes së autoudhëve. Përmes katër kontratave gjashtëmujore të negociuara, deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro. Përdorimi i këtyre procedurave kishte kufizuar konkurrencën dhe kishte ofruar më pak transparencë krahasuar me procedurën e hapur. Procesi i auditimit ka evidentuar mangësi edhe në vlerësimin e ofertave, ku Komisioni i Vlerësimit në disa raste nuk kishte kërkuar sqarimet e nevojshme lidhur me disa paqartësi teknike, formale ose metodologjike, sqarimi i së cilave nuk do ta ndryshonte përmbajtjen substanciale të ofertës. Kjo kishte rritur rrezikun që procesi i vlerësimit të mos siguronte trajtim plotësisht të barabartë të operatorëve ekonomikë. Gjithashtu auditimi ka konstatuar se Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave të përgjegjshme për katër llotet. Kombinimi alternativ i identifikuar nga auditimi do të kishte rezultuar me një çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15% më të ulët sesa kombinimi i kontraktuar. Si pasojë, Ministria nuk kishte arritur të siguronte kombinimin më ekonomik të ofertave dhe kishte humbur mundësinë për realizimin e më shumë shërbimeve brenda buxhetit të përcaktuar”, thuhet në një komunikatë të ZKA-së.

Dallime të theksuara sipas raportit, janë evidentuar edhe ndërmjet çmimeve të ofertuara dhe çmimeve referente të Ministrisë.

“Në Llotin e tretë, 77 nga 113 pozicione, apo 68% e tyre, ishin ofertuar me çmime mbi 90% më të ulëta se çmimet referente. Në disa raste, pozicione të përllogaritura nga Ministria me 180 apo 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi. Për këto devijime nuk ishte kryer analizë e dokumentuar dhe nuk ishin kërkuar sqarime të mjaftueshme nga operatorët ekonomikë, duke rritur rrezikun për vështirësi gjatë zbatimit dhe menaxhimit të kontratave. Në aspektin e integritetit të procesit, auditimi ka identifikuar rrethana që potencialisht mund të paraqisnin konflikt interesi meqë kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur angazhim profesional të mëhershëm me operatorin ekonomik që ishte shpallur fitues në njërin prej lloteve. Ministria nuk kishte bërë vlerësimin apo trajtimin e këtyre rrethanave dhe rasti nuk ishte referuar tek autoriteti kompetent, duke krijuar pasiguri lidhur me paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të vlerësimit. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se planifikimi në kohë i procedurave, përcaktimi i kritereve të qarta dhe vlerësimi i dokumentuar i ofertave janë të domosdoshme për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe vlerë më të mirë për paranë publike. Znj. Spanca tha se Ministria duhet të forcojë kontrollet në të gjitha fazat e prokurimit, veçanërisht në analizimin e çmimeve, përzgjedhjen e kombinimit më ekonomik të ofertave si dhe parandalimin dhe menaxhimin e rrethanave që mund të krijojnë konflikt interesi”, thuhet në komunikatë.

Me qëllim të përmirësimit të procesit të prokurimit dhe përdorimit më efikas të fondeve publike, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë shtatë rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.