Zjarrfikësit kërkojnë kushte, paralajmërojnë protesta

Gjendje e rëndë e ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve vite me radhë. Sindikata e Pavarur e Zjarrfikësve të Kosovës (SPZK) ka reaguar për shumë probleme që e kanë përfshirë këtë institucion, por s’ka marrë përgjigje. Sipas kësaj sindikate, tani në radhë është protesta, pasi nuk ka formë tjetër të komunikimit me institucionet.

Lajme

29/04/2014 12:07

Në një reagim për media, thuhet se Zjarrfikësit nuk po mund t’i kalojnë problemet pa ndihmë institucionale.

Deri më tani nga shumë kërkesa që kanë shkuar në drejtim të institucioneve, zjarrfikësit nuk kanë marrë përgjigje, thuhet në një reagim të Sindikata e Pavarur e Zjarrfikësve të Kosovës.

“Gjendja e rëndë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve vite me radhë, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese pa përkujdesje institucionale, mungesë buxheti, pa pajisje adekuate, me automjete të viteve 70 – 80, me kushte të punës mjaftë të rënda, moszbatimi i ligjeve në fuqi, mos-implementimi i kontratave të punës, mos kompensimi i orëve gjatë ndërrimit të natës, orëve jashtë orarit, mos-aplikimi i masave për ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, janë problemet që na shqetësojnë”.

Zjarrfikësit e Kosovës po shqyrtojnë mundësitë për të organizuar protestë nëse nuk do të bëhet zgjidhje për kërkesat e tyre, për të cilët vlerësojnë se janë të drejta dhe legjitime.