“Zika” mund të shndërrohet në kërcënim më të madh se virusi Ebola
Virusi Zika i cili aktualisht po paraqet një kërcënim shëndetësor në botë, mund të shndërrohet në problem më të madh se sa virusi vdekjeprurës Ebola, i cili gjatë vitit të kaluar shkaktoi mbi 11 mijë të vdekur në Afrikë.

Bota
Specialisti për sëmundje infektive, Jeremy Farrar, i cili njëherësh është shef i organizatës “Wellcome Trust”, njëra nga qendrat më të mëdha hulumtuese në botë, ka deklaruar për britaniken “The Guardian” se akoma nuk është zbuluar ndonjë vaksinë kundër këtij virusi dhe sipas të gjitha gjasave kjo nuk do të ndodhë në ndonjë të afërme të shpejtë.
“Problemi i vërtetë qëndron në faktin se testimi i vaksinës duhet të bëhet në gratë shtatzëna, që paraqet një ankth të vërtetë. 80 përqind e të sëmurëve nuk shfaqin asnjë simptomë dhe kjo e vështirëson ndjekjen e sëmundjes’’ ka thënë ai, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ekspertët nga ana e tyre alarmojnë se mushkonja “Aedes Aegypti” e cila bart virusin po shumohet dukshëm, ka thënë më tej Farrar.
Virusi Zika i cili bartet nga mushkonja te njeriu, për herë të parë u regjistrua në Ugandë në vitin 1940 nga ku u përhap në tërë Afrikën dhe më vonë në paqësorin e Jugut dhe Azi, si edhe në Amerikën Latine.