“Zhvillimi ekonomik nuk duhet të jetë peng i nacionalizmit”

Ekonomisti Safet Gerxhaliu tha se debati mes Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me nismën ‘Ballkani i Hapur’ është në dëm të të dyja vendeve.

Lajme

12/08/2021 14:14

Sipas tij, Kurti dhe Rama duhet të kuptojnë se mbi interesat e partive duhet të jenë interesat shtetërore dhe mbi interesat shtetërore ato kombëtare, ndaj dora e pajtimit është më se emergjente.

Për ekspertin e ekonomisë, përpara se të shkohet në një nismë të bashkëpunimit ekonomik siç është edhe ‘Ballkani i hapur’, duhen hequr të gjitha barrierat e mundshme, në mënyrë që të gjitha shtete e Ballkanit Perëndimor të shkojë si shtete të barabarta.

Gërxhaliu tha se radikalizmi dhe nacionalizmi i shtuar së fundmi në Shqipëri dhe Kosovë nuk u sjell asnjë të mirë vendeve nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik.

“Nisma ‘Ballkani i hapur’ ka tri dimensione; atë politik, ekonomik dhe integrues të tria të rëndësishme për Kosovën. Emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së problemeve në Ballkanin Perëndimor është zgjidhja e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse nuk bëhet kjo Ballkani do të jetë peng. Ndaj është koha kur duhet të mendohet për ardhmëri dhe ardhmëria është që të gjithë të jenë barabartë”, u shpreh Gërxhaliu për Euronews Albania.