“Zhduket” Arben Vitia, për herë të fundit u pa duke e pranuar humbjen në Prishtinë

Paraqitja e fundit në skenën politike e ish-kandidatit për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, ishte në ditën kur u mor vesh se kandidati i LDK-së, Përparim Rama, po e fitonte kryeqytetin.

Lajme

25/11/2021 21:47

Në konferencë për media, Vitia ia uroi fitoren Ramës duke elaboruar edhe arsyet pse mendon se i ka humbur këto zgjedhje, shkruan lajmi.net.

“Prishtinës i dëshiroj sukses. Inkuadrimi jonë i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i programit mjaftueshëm ka ndikuar”, deklaronte ai.

Hera e fundit që iu është përmendur emri Vitisë në skenën politike ishte përgjatë konferencës së zyrtarizimit të emërimit të Rifat Latifit në pozitën e ministrit të Shëndetësisë. Kryeministri Kurti u pyet nga gazetarët se cili do të ishte fati i ish-ministrit të Shëndetësisë në politikë.

“Se cili do të jetë angazhimi i tij në të ardhmen nuk ka ndonjë presion për të vendosur tani. Kjo bëhet varësisht prej planeve që ka edhe vet zotëri Vitia”, deklaronte Kurti.

I gjallë Vitia nuk është bërë as në profilin e tij zyrtar në ‘Facebook’. Për herë të fundit, anëtari i VV-së ka publikuar në ditën e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Sot vendoset fati i kryeqytetit tonë, andaj bëj ftesë që secila dhe secili bashkëqytetar ta shfrytëzoj të drejtën e votës e të jap shembullin e përgjëgjësisë së lartë për demokracinë e për Prishtinën”, shkruante ai.

Vitia nuk është deklaruar që nga atëherë, e as nuk ka bërë të ditur se cili do të jetë angazhimi i tij në të ardhmen. /Lajmi.net/