Zhduken dy personat që kërkuan ndihmë “për shërimin e familjarëve të tyre”
Në pasditën e 15 tetorit, një person i prezantuar si Armend Morina nga qyteti i Mitrovicës u lajmërua në redaksinë e lajmi.net për të kërkuar ndihmë për vëllanë e tij të sëmurë, Blerim Morinën, për të cilin deklaroi se është 24 vjeçar e baba i një vajze dhe po vuante nga leukemia akute. Duke marrë…
Lajme
Në pasditën e 15 tetorit, një person i prezantuar si Armend Morina nga qyteti i Mitrovicës u lajmërua në redaksinë e lajmi.net për të kërkuar ndihmë për vëllanë e tij të sëmurë, Blerim Morinën, për të cilin deklaroi se është 24 vjeçar e baba i një vajze dhe po vuante nga leukemia akute.
Duke marrë parasysh se lajmi në të cilin kërkohej ndihmë për shërim ishte publikuar edhe në disa media të tjera në Kosovë, edhe lajmi.net vendosi që të publikojë këtë lajm, sikur shumë herë të tjera kur mediet kanë ndihmuar që raste të tilla – kur është kërkuar ndihmë për shërim.
Në raste të tilla, dhembshuria dhe gjykimi emocional, mund ta mposhtë arsyetimin dhe gjykimin e ftohtë profesional dhe lajmi u publikua. Artikulli u bazua në bisedën që ndodhi në aplikacionin e mesazheve ‘WhatsApp’ në numrin zyrtar të redaksisë së lajmi.net.
Lajmi.net në këtë rast kërkoi edhe ndonjë faturë apo njoftim lidhur me çmimin e operacionit të lëshuar nga spitali, përveç të dhënave bankare dhe numrit kontaktues që ishte publikuar, por personi i prezantuar si Armendi tha se këtë do të mund ta bënte të hënën.
Më poshtë mund t’i lexoni bisedat që u zhvilluan nga redaksia e lajmi.net me personin në fjalë:
Ndërkohë, më 24 tetor, në redaksinë e lajmi.net arriti edhe një lutje për ndihmë për një vajzë 19 vjeçare nga Gjilani. Personi i prezantuar si Ilir Isufi, babai i Agnesa Isufit për të cilën deklaroi se vuan nga skleroza multiple, kërkoi që të publikohej një artikull për ta ndihmuar vajzën e tij të shërohet.
Më datë 25 tetor, personi u lajmërua sërish me lutjen e njëjtë, ndërsa redaksia publikoi lajmin ku kërkohej ndihmë për vajzën 19 vjeçare pas shumë insistimeve të personit që u paraqit si babai i saj.
Më poshtë mund t’i lexoni bisedat që u zhvilluan nga redaksia e lajmi.net me personin në fjalë:
Në rastin e personit që u paraqit si Armend Morina, lajmi i shpërndarë në shumë media në Kosovë mobilizoi njerëzit e vullnetit të mirë dhe shuma prej 100 mijë euro u bë brenda një afati të shkurtër, madje vetë personi, kishte folur publikisht në telefon me disa persona që u organizuan për ta ndihmuar. Ndërsa në rastin e personit që u paraqit si Ilir Isufi që kërkonte ndihmë për vajzën e tij, dyshimet u hodhën më shpejt.
Situata u bë shqetësuese dhe e dyshimtë kur telefonat e personave me të cilët kishin kontaktuar mediet, dolën jashtë qasjes. Kështu, u hodhën dyshimet e para për një mashtrim të mundshëm nga personat në fjalë. Pas shumë tentimeve për t’i kontaktuar, kjo gjë ishte e pamundur.
Për këto dy raste, u hapën edhe llogari për të kërkuar ndihmë në platformën GoFundMe. Ndërsa të dy personat u zhdukën duke mos u lajmëruar më as në thirrjet e medieve e as në thirrjet e personave vullnetmirë që u ndihmuan.
Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës për të marrë informacione nëse këto raste janë denoncuar si mashtrim, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ende përgjigje.
Ndërkohë edhe Klan Kosova e cila ka publikuar ashtu si një numër i madh i mediave “rastin e Blerimit”, sot ka qëndruar në Mitrovicë, në adresën që personi i prezantuar me identitetin Armend Morina ua ka dhënë mediave, mirëpo që askush nuk ka dijeni për të, apo për ndonjë rast të ndonjë sëmundjeje të personit të prezantuar me emrin “Blerim”.
Redaksia e lajmi.net do të vazhdojë të merret me hulumtimin e këtij rasti për të tentuar të zbardh më shumë detaje rreth asaj se çfarë ka ndodhur.