“Zhburrërimi”, sociologia thotë se kjo është arsyeja kryesore pse burrat e dhunuar gjatë luftës nuk tregojnë ngjarjet e tyre

Lajmi.net mbrëmë ka publikuar emisionin e parë dokumentar "PASOJË" që i kushtohet dhunimit të burrave dhe meshkujve në Kosovë nga ushtarët dhe policët serbë. Pjesë e dokumentarit ishte edhe një burrë i dhunuar, me identitet të mbrojtur i cili rrëfeu gjithë ngjarjen e tij, pasojat dhe përjetimet e vazhdueshme rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.

Lajme

09/05/2022 20:01

Lidhur me këtë temë, lajmi.net brenda dokumentarit ka pasur edhe Vjollca Krasniqi, sociologe e cila ka folur mbi konsekuencat sociale të një ngjarje të tillë të rëndë dhe arsyet pse këto ngjarje mbahen kryesisht të heshtura e nuk tregohen nga djemtë e burrat, shkruan lajmi.net.

Ruajtja e konceptit të burrërisë e bënë edhe më të pamundur përballjen e hapur me përjetimin dhe dhunimi seksual ndaj burrave, sipas Krasniqit, kryesisht trajtohet nën domenin e ‘traumës’.

“Tek ne në Kosovë dhuna seksuale ndaj burrave gjatë luftës ka qenë e heshtur, vazhdon të mbetet e heshtur, për arsye se ka një stigmë jashtëzakonisht të fuqishme, jo vetëm ndaj burrave por  në përgjithësi ndaj dhunës seksuale, që mendoj se është shumë më e fuqishme ndaj burrave sepse kjo stigmë ndërlidhet me idetë se çka është me qenë burrë, të maskulitetit, dhe në kulturat në të cilat norma është të qenit burrë dhe nuk lejohet ose pranohet lehtë cenueshmëria e burrit, për arsye se burrat shikohet të fuqishëm dhe që nuk janë viktimë e dhunës. Andaj, heshtja e dhunës seksuale në luftë ka të bëjë me idetë ose besimin shumë të madh se burrat duhet të vazhdohet të shikohen shumë të fuqishëm dhe në asnjë mënyrë si subjektivitete që janë të cenueshme dhe vurnelable. Pa ashtu dhuna seksuale në luftë mendohet, imagjinohet edhe rimendohet përmes gjinisë, por kryesisht duke iu referuar grave dhe vajzave, por jo edhe burrave dhe djemve.”, thotë Krasniqi.

YouTube player

Çdo herë të mbijetuarit e dhunës në luftë, e posaçërisht të mbijetuarit e dhunës seksuale, jetojnë në kondita jetësore që janë jashtëzakonisht të vështira, shumica e tyre kanë  aspekte të jetës së tyre personale dhe familjare jashtëzakonisht të shkatërruara ose kanë kriza të mëdha.

“Dhuna seksuale ndaj burrave dhe djemve, kryesisht është e kornizuar ndryshe. Nuk është krejtësisht  e heshtur, por kryesisht është raportuar si torturë, shikohet si torkurë ku referencat  ndaj dhunës seksuale ndaj djemve dhe burrave përfshihet brenda torturës, por nuk flitet hapur. Duke e shikuar dhunën seksuale kryesisht ndaj burrave dhe djemve përmes prizmës së torturës, po ashtu e bërë të padukshme dhunën seksuale. Mendoj që koncepti i torturës dhe dhuna seksuale duhet të bëhet më e dukshme brenda kornizës së gjerë të torturës nga format më të rënda të shkeljes së dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të civilëve në kontestin e luftës. Mendoj që kjo ndërlidhje mes konceptit të   torturës dhe dhunës seksuale si formë e torturës ka kontribuuar në heshtjen e dhunës seksuale ndaj djemve dhe burrave, që nuk është diçka specifike vetëm për Kosovën, por që është specifike për shumë konteste tjera që kanë përjetuar konfliktin e dhunshëm dhe po ashtu në pasluftë . Tek në vitin 2019 me rezolutën e 2004/67 në mënyrë specifike njihet mundësia e dhunës seksuale ndaj burrave dhe djemve dhe shtet obligohen me adresu dhunën seksuale gjatë konfliktit, por po ashtu edhe pas konfliktit.”, thotë ajo. /Lajmi.net/

Ky është dokumentari i plotë:

YouTube player