Zgjidhje për parkingjet

Besnik Tahiri tha se po i afrohet qytetarit me një ofertë tejet, sipas tij, serioze që buron nga vetë ata dhe problemet që ata ballafaqohen çdo ditë.

Lajme

11/10/2013 12:50

Kandidati i AAK’së për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, ka prezantuar sot projektin e vet për parkingjet në Kryeqytet.

Sipas Tahirit, ky projekt i jep zgjidhje një pjese të madhe të parkingjeve në qytet, fillimisht me kapacitet 500 vende me 3 etazhe nëntokësore, duke e kthyer këtë platonë në Sheshin “Adem Jashari”  në një hapësirë “të shfrytëzueshme dhe estetike”.

“Po i afrohem qytetarit me një ofertë tejet serioze që buron nga vetë ata dhe problemet që ata ballafaqohen çdo ditë”.

“Ne kemi dizajnuar një ‘Udhërrëfyes’, i cili ngërthen parimet themelore dhe teknike të cilat janë përcjellur me një skanim të gjendjes në lidhje me urbanizmin dhe infrastrukturën”.

“Ne do të stimulojmë bashkëpunimin ndërmjet sektorit të ndërtimit, institucionet qendrore, komunës dhe agjencioneve zhvillimore, me qëllim që çdo ndërtim i ri të respektojë kushtet dhe kriteret e një zhvillimi afatgjatë të Prishtinës, si dhe planet urbanistike”, tha Besnik Tahiri.

Sipas tij, parimet dhe gjetjet nga terreni kanë rezultuar më dizajnimin e një politik-bërje të hollësishme por dhe të zbatueshme që ka të bëjë me rregullim e gjendjes ekzistuese.

Tahiri theksoi se angazhohet në garantimin dhe respektimi i normave teknike dhe kritereve në ndërtimet e reja, hartimin e planeve urbanistike në lokalitete e banuara e në veçanti qytetin e Prishtinës.