Zgjidhja si të dilet nga ngërçi politik pa shkuar në zgjedhje

Ramush Haradinaj, më 19 korrik ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Lajme

01/08/2019 15:25

Më 19 korrik të këtij viti, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit, pasi që kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Me dorëheqjen e tij, nënkupton edhe rënia e Qeverisë mirëpo, Haradinaj është duke vazhduar të ushtrojë postin e kryeministrit në dorëheqje.

Madje, Haradinaj i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për ta interpretuar vendimin e tij.

Fisnik Salihu, avokat dhe njohës i Kushtetutës, ka treguar për lajmi.net, se në Kushtetutën e Kosovës kjo shpjegohet shumë qartë.

“Kushtetuta e Kosovës, përmes Nenit 95.5. parashikon dhe rregullon situatën e paraqitjes së dorëheqjes së Kryeministrit dhe të efekteve ligjore. Me rastin e paraqitjes së Dorëheqjes së Kryeministrit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës parashikon dy efekte ligjore: a) Posti i tij/saj mbetet i lirë, dhe b) Qeveria bie.  Kjo nënkupton se mandati dhe kompetencat e Kryeministrit dhe të gjithë ministrave përfundojnë me rastin e paraqitjes së Dorëheqjes.  Dorëheqja ka efekt ligjor që nga momenti i paraqitjes, që nënkupton dorëzimi i njoftimit për Kuvendin e Kosovës”, ka treguar Salihu.

Ende pa e dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tij, të gjitha partitë politike në vend kanë kërkuar nga presidenti i Kosovës që të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Mirëpo Salihu shpjegon mënyrën se si në bazë të Kushtetutës duhet të veprojë në këtë rast presidenti Hashim Thaçi.

“Pas paraqitjes së Dorëheqjes, i tërë procesi kushtetues kalon tek Presidenti i Republikës, i cili mund të vendos që të mandatojë një kandidat tjetër, apo të shpallë zgjedhje të reja. Kryeministri dhe Ministrat e Dorëhequr, me efekt nga data e paraqitjes së dorëheqjes nuk mund të ushtrojnë asnjë funksion qeveritar dhe të kompetencave të tyre. Presidentit,  sipas nenit 95.5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gëzon të drejtën në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend nga zgjedhjet e fundit, të mandatojë një kandidat te ri, për të formuar Qeverinë pa pasur nevojë që të shkohet në zgjedhje. Në qoftë se përbërja e propozuar nuk merr shumicën e votave të nevojshme prej 61 votash, Presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.  Duke u bazuar edhe në aktvendimi e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014, në mundësinë e dytë që ka Presidenti për emërimin e kandidatit tjetër, nuk përcaktohet se cila parti ose cili koalicion e propozon kandidatin e ri për Kryeministër.  Sipas këndvështrimit të Gjykatës, është në diskrecionin e Presidentit të Republikës që, pas konsultimeve me partitë parlamentare dhe me koalicionet, të vendosë se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër për Kryeministër. Kjo nënkupton që Presidenti mund të vendosë t’i japë të njëjtës parti ose koalicion edhe një rast për të propozuar kandidatin tjetër, që mund të jetë i suksesshëm në formimin e Qeverisë së re, duke marrë votat e nevojshme në Kuvend”, shpjegon Salihu.

Sipas tij, presidenti mund edhe t’i shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Pasi që, sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit, është përgjegjësi e këtij të fundit që të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverise së re, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. Edhe Kuvendi gëzon të drejtën për të mandatuar kandidatin tjetër që i ka votat e nevojshme, të votoj për shpërndarjen e Kuvendit me dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve. Në këtë rast, Kuvendi shpërndahet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës. Duke qenë se kryeministri është kryeministër në dorëheqje, i njëjti nuk mund të ndërmarrë veprime që bien në domenin e kompetencave të tij si Kryeministër”, ka treguar Salihu. /Lajmi.net/